Rebelohet edhe Erion Braçe: Rama është i zëvendësueshëm, në 2005 nuk e zgjodhëm trashëgimtar!

20 November 2026, 15:37 / POLITIKË ALFA PRESS

Braçe: Rama është i zëvendësueshëm, në 2005

Deputeti socialist Erion Braçe, i ftuar në emisionin “Shqipëria Live”, ka folur për gjendjen shëndetësore të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, dhe debatet e fundit brenda Partisë Socialiste .

Për Veliajn, Braçe u shpreh se shërbimi mjekësor nuk mund t’i mohohet askujt.

“Mendoj se Veliaj ka nevojë për shërbim akut shëndetësor dhe nuk mund t’i mohohet askujt”, deklaroi ai.

Duke komentuar debatet në Asamblenë e PS-së, Braçe tha se nuk i kishte pëlqyer ajo që kishte ndodhur gjatë mbledhjes, si në pjesën me dyer të mbyllura, ashtu edhe në atë me dyer të hapura. Ai kërkoi më shumë përfshirje të socialistëve në vendimmarrje përmes votës, duke theksuar se aktualisht anëtarët e partisë njoftohen për vendimet që merren në emër të tyre.

“Kemi pasur probleme kohë pas kohe brenda PS-së me kulturën demokratike, por kjo kurohet, se na kushton më pak kurimi i të qejfmbeturve nga gara sesa mohimi i të gjithë socialistëve për të zgjedhur me votë”, u shpreh deputeti socialist.

I pyetur për qëndrimet e Elisa Spiropalit, Braçe tha se ajo ka të drejtë të shprehë mendimet e saj. Megjithatë, ai theksoi se anëtarësimi në forumet drejtuese të një partie shoqërohet me detyrimin për t’iu nënshtruar disiplinës partiake.

“Në momentin që je brenda forumeve të çdo partie, një pjesë e lirisë tënde humbet, se i nënshtrohesh disiplinës partiake”, deklaroi Braçe, duke shtuar se është kundër përjashtimeve nga partia, përveç rasteve kur ato janë të arsyetuara.

Deputeti socialist u pyet edhe nëse kryeministri Edi Rama është i zëvendësueshëm në drejtimin e PS-së.

“Patjetër, kush nuk është i zëvendësueshëm?”, u përgjigj Braçe.

Ai kundërshtoi konceptin e trashëgimtarit në drejtimin e një partie, duke iu referuar zgjedhjes së kryetarit të PS-së në vitin 2005.

“Në 2005 ne nuk zgjodhëm trashëgimtar, por zgjodhëm më të mirin mes nesh me votë dhe na shkoi mbarë”, tha Braçe.

Në përfundim, deputeti socialist u shpreh se nuk është i kënaqur me situatën aktuale në PS, por theksoi se ndryshimet mund të bëhen edhe pa largime nga partia.

“Prandaj i dua të gjithë brenda, nuk i dua jashtë”, deklaroi ai.

Pjesë nga intervista e Erion Braçes në “Shqipëria live”:

Gjoni: Jam kurioze t’ju pyes për situatën aktuale të PS, kur një mbrëmje më parë dëgjoj zonjën Elisa Spiropali të flasë me emër dhe mbiemër, duke cilësuar zonjën Belinda Balluku “modeli më i keq i qeverisjes së PS”. Sot dëgjoj Veliajn që thotë “kryeministri është kot, vendos ai”. A janë këto mendime individuale që vijnë në momentin që këta persona ndjenë se po u cenohet posti apo është mendim i një grupi brenda PS, qoftë ai i madh apo i vogël?

Braçe: Me thënë të drejtën unë nuk dua ta mendoj kështu siç ju e shtruat. Unë mendoj se zoti Veliaj ka nevojë akute shëndetësore dhe duhet t’i plotësohet si çdo qytetari tjetër të Republikës së Shqipërisë që prezumohet i pafajshëm nga dita 1. Nga dita 1 e ngritjes së akuzës, arrestimit e kështu me radhë, edhe deri ditën që Gjykata do e shpallë të fajshëm. Por edhe i fajshëm, shërbimi shëndetësor nuk i mohohet askujt.

Ndërkohë që unë mendoj që liria dhe sidomos liria e shprehjes është një drejtë e fituar që në vitin 1990. E nuk bën përjashtime as Partia Socialiste në raport me këtë të drejtë.

Tani, në momentin që je brenda forumeve të PS apo çdo partie, duhet ta kuptojë cilido që një pjesë e lirisë tende humbet. Sepse i nënshtrohet rregullave të brendshme dhe patjetër edhe disiplinës partiake. Por edhe një marrëdhënie njerëzore me shokët, me kolegët, me gjithkënd që është aty brenda.

Unë e kam thënë shumë qartë në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të PS, që unë jam kundër përjashtimeve nga partia, nga forumet e kështu me radhë. Edhe pse forumi ka të drejtën e tij që të zgjedhë kë ka brenda e kë duhet të nxjerrë jashtë, por me arsye gjithmonë. Por po e përsëris, në momentin që je aty brenda ke të gjitha këto detyrime, por kur je jashtë fiton të plotë lirinë e vet.

Unë e kam lirinë në Partinë Socialiste për të thënë atë që mendoj, edhe nëse është gabim.

Të kontribuoj që PS-ja të funksionojë në dorë të qytetarëve të Republikës së Shqipërisë. Mendoj shumë qartë që qëllimi i një force si PS-ja është të përmirësojë jetën e njerëzve.

Gjoni: Në PS ka debate të hapura. Duke dëgjuar zonjën Spiropali, a mendoni se janë mendime individuale apo ka dhe të tjerë?

Braçe: Nuk kam bërë ndonjë sondazh. Në Asamble ishim 2-3 veta që folëm. Vazhdoj e besoj se Spiropali ka të drejtë të thotë çfarë të dojë.

Braçe: Kur je brenda forumeve, duhet ta kuptoni. Kam thënë gjëra që nuk i kam ndarë me publikun, por kam thënë gjëra madhore për të adresuar problematika, për të ndryshuar qasje, qoftë në qeverisjen e Shqipërisë apo dhe në qeverisjen e Partisë Socialiste. Më vjen mirë që do të kalojnë të gjithë në sitë për meritë dhe arritjet e tyre.

Gjoni: Pse i besoni sot sitës së përzgjedhjes së këtyre drejtorëve?

Braçe: I besoj procesit. Unë mendoj se, sa u takon drejtuesve të niveleve të ndryshme, kemi hyrë në një fazë të re, sipas kapitujve të BE-së. Trajtimi ka hyrë në një kontekst tjetër, jemi në monitorim. Jemi në supermonitorim për kapitujt që do të bëjmë.

Brenda PS-së na duhet komplet një gjë tjetër. Edhe në mbledhjen e fundit vazhdoi praktika e njoftimeve. Meqë e thashë aty brenda dhe nga aty kanë dalë gjëra të vërteta dhe jo të vërteta, po e them që socialistët duhet të përfshihen, të mos ndihen të lënë mënjanë, të mos ndihen sikur nuk janë pjesë e debateve të brendshme. Të jenë të përfshirë deri në vendimmarrje përmes votës. Socialistët të mos ndihen më jovendimmarrës. Ka më se një vit që nuk mblidhet. Të jenë të përfshirë në vendimmarrje nëpërmjet votës.

Kemi pasur probleme kohë pas kohe brenda PS-së me kulturën demokratike, por kjo kurohet, se na kushton më pak kurimi i të qejfmbeturve nga gara sesa mohimi i të gjithë socialistëve për të zgjedhur me votë, për të qenë pjesë e vendimmarrjes në partinë e tyre.

E kupton që ne sot, socialistët, njoftohemi për vendimet që merren në emër të tyre.

Gjoni: Pse në Asamble ju thoni se folën 2-3 vetë?

Braçe: Unë mendoj se është shqetësim i të gjithëve, jo imi personal. E kam ndier këtë kur kam takuar socialistë në Tiranë dhe jo vetëm. Duhet të përfshihen socialistët, duhen elementë të rinj që të sjellin frymë të re. Kështu është në çdo degë të PS-së, nevoja që socialistët të energjizohen dhe të bëhen pjesë. Nëse të rinjtë vijnë dhe trajtohen njësoj si pjesa aktuale brenda PS-së…

Gjoni: A druhen se kush mendon ndryshe rrezikon të përjashtohet nga PS-ja?

Braçe: Jo, nuk mendoj kështu, edhe pse ajo që ndodhi në Asamble nuk më pëlqeu, as pjesa me dyer të mbyllura, as pjesa me dyer të hapura. Jemi në një moment që kemi nevojë për më shumë dialog me njëri-tjetrin, më shumë diskutim me njëri-tjetrin, mirëkuptim me njëri-tjetrin, edhe për kundërshti të njëri-tjetrit, më shumë empati dhe më shumë dashuri brenda Partisë Socialiste.

Kemi më shumë nevojë për garë e konkurrencë të ndershme, jo kush do të jetë trashëgimtari, se ky koncept në demokraci nuk funksionon. Në 2005 ne nuk zgjodhëm trashëgimtar, por zgjodhëm më të mirin mes nesh me votë dhe na shkoi mbarë.

Gjoni: A është ai i zëvendësueshëm?

Braçe: Patjetër, kush nuk është i zëvendësueshëm?

Gjoni: A duhet të ndryshojë kreu i PS-së sjellje?

Braçe: Unë jam bardh e zi, por nuk funksionoj brenda një force politike kështu, ka ngjyra plot. Mua ka gjëra që nuk më pëlqejnë. Në kushtet në të cilat ndodhemi, nuk më pëlqen situata në PS, siç nuk më ka pëlqyer situata në Tiranë, në qytet. Është një qytet që nuk më pëlqen. Nuk jam as Borselino, as gjyqtar, as hero, por ka një shprehje të bukur: “Palermo nuk më pëlqente, por mësova ta doja”, t’i duash gjërat për t’i ndryshuar.

Gjoni: Mund të ndryshojë pa ikur?

Braçe: Patjetër. Pa ikur kanë ndryshuar, prandaj i dua të gjithë brenda, nuk i dua jashtë.

Po ndodh...