Shpërthen predha e mortajës në një shkollë fetare në Afganistan, humbin jetën 4 fëmijë dhe plagosen 2 të tjerë

20 November 2026, 16:03 / BOTA ALFA PRESS

Shpërthen predha e mortajës në një shkollë fetare

Katër adoleshentë kanë humbur jetën dhe dy të tjerë janë plagosur në Afganistanin perëndimor, pasi një predhë mortaje e mbetur nga konfliktet e mëparshme shpërtheu në ambientet e një shkolle fetare. Ngjarja tragjike ndodhi të dielën në provincën Farah, gjatë një feste zyrtare, kur nxënësit dolën jashtë dhe gjetën predhën brenda ndërtesës. Sipas zëdhënësit të policisë lokale, Kalimullah Nangyal, nxënësit më të vegjël filluan ta godisnin objektin shpërthyes, duke shkaktuar detonimin e tij.

 Katër viktimat ishin të moshës 10 deri në 16 vjeç, ndërsa dy të plagosurit morën ndihmën e nevojshme mjekësore. Tragjedia rikthen në vëmendje rrezikun e vazhdueshëm që paraqesin minat dhe mbetjet shpërthyese të luftërave të kaluara në Afganistan.

Sipas Shërbimit të Kombeve të Bashkuara për Veprimin Kundër Minave (UNMAS), më shumë se 45 mijë civilë kanë humbur jetën nga këto mjete që prej tërheqjes së trupave sovjetike në vitin 1989.

Vetëm gjatë periudhës janar-shtator të këtij viti, 324 civilë u vranë ose u plagosën nga shpërthime të tilla, shumica prej tyre fëmijë, sipas Zyrës së OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA).

 Situata rëndohet edhe nga mungesa e fondeve për pastrimin e zonave të rrezikshme. Rreth 2.6 milionë njerëz jetojnë më pak se një kilometër larg territoreve të kontaminuara nga minat dhe municionet e pashpërthyera. Ndërkohë, buxheti i misionit të OKB-së është reduktuar ndjeshëm, duke vështirësuar përpjekjet për identifikimin dhe neutralizimin e mjeteve shpërthyese që vazhdojnë të kërcënojnë jetën e civilëve, veçanërisht të fëmijëve.

Po ndodh...