Rama dha dje lajmin se shteti do t’i rrijë “mbi kokë” kontratave të naftës, “Bankers Petroleum Albania” emëron ish-diplomatin kroat në krye të kompanisë

15 Korrik 2025, 15:59 / AKTUALITET ALFA PRESS
Rama dha dje lajmin se shteti do t’i rrijë “mbi

Bankers Petroleum Albania ka emëruar Andrija Kojaković si Kryetar të Bordit Mbikëqyrës dhe Bashkëkryetar, i cili mbart një karrierë të spikatur në pozicione drejtuese të sektorit të energjisë, diplomaci dhe këshillim strategjik.

Ky emërim ka ardhur vetëm një ditë pasi kryeministri Edi Rama nga mbledhja me deputetet e qarkut të Tiranës dhe drejtorët e Bashkisë së kryeqytetit njoftoi se së bashku me Ministrinë e Energjisë dhe Infrastrukturës janë duke punuar ngushtë për një sistem të ri të furnizimit me naftës.

Në deklaratën e tij kreu i qeverisë theksoi se ky projekt synon të përfshijë shtetin si aktor të drejtpërdrejtë në organizimin e kontratave dhe furnizimin me karburant, me qëllim forcimin e kontrollit mbi çmimet dhe transparencën në të gjithë zinxhirin e qarkullimit të naftës.

Sipas asaj që kryeministri tha ky mekanizëm i ri pritet të sjellë më tepër efikasitet dhe garanci për konsumatorët.

“Jemi duke punuar intensivisht me Ministrinë e Energjisë dhe Infrastrukturës për një sistem të ri të furnizimit të naftës. Është një domosdoshmëri dhe është një mundësi tanimë për të kaluar edhe tek furnizimi i naftës me një komponent të ri të shtetit si protagonist në organizmin e kontratave dhe në furnizimin me naftë, gjë që kemi shumë besim që do të sjellë një kontroll shumë më efikas, qoftë mbi çmimin, qoftë mbi gjithë sistemin e qarkullimit të naftës dhe tjetra”, tha kryeministri Edi Rama.

Ndërkohë që një ditë pas kësaj deklarate të kreut të qeverisë Bankers Petroleum Albania, përmes një njoftimi zyrtar për mediat lajmëroi emërimin e ish-diplomatit kroat Andrija Kojaković.

Sipas kompanisë, Kojaković do të ketë një rol qendror në mbikëqyrjen e angazhimit të kompanisë me autoritetet shqiptare dhe në mbështetjen për një sqarim të plotë të situatës aktuale në të cilën “Bankers Petroleum Albania” përballë drejtësisë shqiptare.

Kojaković mbart një përvojë të spikatur në poste drejtuese në sektorin e naftës dhe gazit në Ballkan, përfshirë periudhën kur ka qenë Drejtor Ekzekutiv i kompanisë kroate INA d.d. (1995–1997), ku ka udhëhequr nismat e rëndësishme për ristrukturim financiar dhe ligjor.

Ai gjithashtu ka shërbyer si Ambasador i Republikës së Kroacisë në disa shtete kyçe (përfshirë Kinën dhe Mbretërinë e Bashkuar), si dhe si Anëtar Bordi në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), ku ka këshilluar për zhvillimin ekonomik dhe qeverisjen. Në sektorin privat, ai themeloi dhe drejtoi Central European Oil Company, e mbështetur nga institucione të rëndësishme financiare ndërkombëtare.

“Emërimi i tij përforcon angazhimin tonë për menaxhim të fortë, transparencë dhe udhëheqje të përgjegjshme ndërsa ecim përpara.

Ndërkohë, operacionet tona mbeten të qëndrueshme. Ne kemi riformuar ekipin tonë kryesor dhe punonjësit tanë janë duke u mbështetur në mënyrë të plotë. Aktivitetet e përditshme vazhdojnë pa ndërprerje të mëdha, falë drejtimit të inxhinierëve shumë të kualifikuar dhe me përvojë që po e çojnë kompaninë përpara.

Bankers Petroleum Albania mbetet plotësisht bashkëpunues me të gjitha institucionet dhe autoritetet përkatëse. Ne jemi të përkushtuar ndaj një dialogu konstruktiv dhe përputhshmërisë së plotë gjatë gjithë këtij procesi, duke vazhduar njëkohësisht të kontribuojmë në sigurinë e sektorit të energjisë dhe zhvillimin afatgjatë të Shqipërisë”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e kompanisë.

Kujtojmë se në fillim të muajit korrik, Prokuroria e Fierit njoftoi se kishte nisur një hetim ndaj kompanisë “Bankers Petroleum Albania”.

Organi i akuzës njoftoi se lidhur me këtë operacion u lëshuan 14 masa sigurie, ku deri më tani janë ekzekutuar 9 masa sigurimi ndaj drejtuesve aktualë dhe të mëparshëm të kompanisë, ndërsa 5 shtetas të tjerë, kryesisht të huaj, janë shpallur në kërkim.

Prokuroria bëri me dije se gjatë hetimeve u arrit që të grumbullohen prova të mjaftueshme për të evidentuar skemën e mashtrimit që kompania në fjalë ka bërë përgjatë 20 viteve të fundit.

Në njoftimin e këtij institucioni të drejtësisë mësohej se shoqëria “Bankers Petroleum Albania”, ka kryer eksporte dhe shitje brenda vendit nga viti 2004 deri në vitin 2024 në vlerën prej 532,433,614,112 lekë.

Po ashtu, rezultonte se shoqëria ka deklaruar shpenzime tatimore në vlera që tejkalojnë të ardhurat nga eksportet dhe shitjet, duke dalë në çdo vit ushtrimor me humbje, ku vlera totale për të gjitha periudhat është në shumën 11,691,799,688 lekë.

Nga hetimi, dyshohet se dëmi i shkaktuar në buxhetin e shtetit, përmes përfitimit të Tvsh-së, është në miliona euro.

Po ndodh...