“Ti hap trutë”/ Dajak për 50 metra rrugë në Dibër, kushërinjtë në ‘luftë’ për pronën

Dhunë, kacafytje, hunj e shkopinj ndaj njëri-tjetrit. Nuk janë as policë që përplasen me protestues të opozitës dhe as tifozë ultras, por kushërinj në Majtarë të Dibrës, aty ku një copë tokë, që për disa është rrugë kalimi dhe për të tjerë pronë private, është bërë burim konflikti dhe ka ndezur gjakrat mes kushërinjve, që duket se janë të gatshëm për çdo gjë, vetëm të mos pranojnë kushtet e njëri-tjetrit.
Dhe siç ndodh shpesh, njëra palë merr guximin të denoncojë. Sipas tyre, konflikti vijon prej më shumë se tre vitesh dhe përballjet me Arturin kanë qenë të forta, deri në përplasje fizike dhe kërcënime për jetën.
Njëra palë shprehet se pasuria numër 30 është rrugë dhe nuk ka si të jetë pronë e kushëririt të tyre. Ndërsa ky i fundit vijon të këmbëngulë që është toka e tij dhe për këtë shprehet se disponon certifikatë pronësie.
Edhe në praninë tonë, përballja mes kushërinjve ishte e fortë, saqë nuk kursyen as kërcënimet ndaj njëri-tjetrit. Të dyja palët disponojnë video ku shajnë, shtyjnë, kërcënojnë dhe rrahin njëra-tjetrën, ndërsa autoritetet duken të pafuqishme në këtë përballje “titanesh” në Majtarë të Dibrës, e cila rrezikon të përfundojë me gjakderdhje.
Arturi na vendosi në dispozicion një certifikatë pronësie, e cila sipas tij vërteton se ajo pjesë e rrugës i takon atij, ndërkohë që juristi i Bashkisë së Dibrës, në një telefonatë të zhvilluar me Piranjat, shprehet se pasuria 30 është rrugë.
Çështja mes palëve është edhe në gjykatë, sot që flasim, ndërkohë që gjakrat janë shumë të nxehura. Ditën e ballafaqimit mes palëve, e bërë edhe në praninë tonë, ishte e nevojshme ndërhyrja e Policisë së Dibrës, e cila bëri edhe shoqërimin e palëve në komisariat për të dhënë dëshminë e tyre.
Ndërsa çdo tentativë për t’i ulur në bisedime është e kotë, duket se ata e kanë humbur logjikën dhe gjuhën e arsyes dhe përfshijnë në një betejë mes burrave edhe gratë dhe fëmijët./Piranjat News
Po ndodh...
Sali Brava
ide
Farsa që shitet si betejë!
Takimi im i parë me Meremen, kryeministren e ardhshme të Shqipërisë
Bekimi i Edi Ramës dhe vampiri në kurriz tonë!
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128