Tritoli në biznesin e Noizyt, i ati i reperit dëshmon në GJKKO: Nuk di me kë ta lidh ngjarjen! Kleviol Ahmeti di që ka pasur xhelozira me djalin

13 Maj 2026, 14:35 / AKTUALITET ALFA PRESS

Tritoli në biznesin e Noizyt, i ati i reperit dëshmon në GJKKO:

Bashkim Rajku, babai i Rigels Rajkut, reperit të njohur si Noizy, është thirrur në cilësinë e dëshmitarit në gjyqin ndaj Laert Haxhiut për të dhënë deklarime lidhur me ngjarjen e 8 qershorit 2022, kur iu vendos tritol në lokal dhe në dyqanin e tij.

Gjatë dëshmisë, Bashkim Rajku tregoi se në momentin e shpërthimit ndodhej në banesë dhe ishte zgjuar nga zhurma e fortë. Sipas tij, lokali ishte biznes funksional, por në orën kur ndodhi shpërthimi ishte i mbyllur dhe brenda nuk ndodhej asnjë punonjës.

““Para 4 vitesh kam qenë në gjumë. Mora vesh që kishte shpërthyer diçka. Shtëpia është në katin e pestë. E dëgjova zhurmën. Në atë moment nuk ka qenë stafi aty. Lokali ka qenë biznes funksional, por në atë orë ishte i mbyllur, sepse ishte natë. Nuk e kujtoj emrin e punonjësit, kanë kaluar 4 vite. Administratorja i ndiqte lokalet, vajza ime, Anisa. Kam edhe një djalë, është muzikant. Lokali ka qenë i mbyllur. Nuk e kujtoj nëse djali ka qenë në shtëpi apo jashtë shtetit. Ai jeton vetëm, pak më poshtë. Zbritëm poshtë. Pallati është 8-9 kate. Zbrita, por nuk pashë kush kishte zbritur, sepse isha i stresuar.

Djalin e kam parë më pas. Pashë që ishin thyer xhamat dhe ishte prishur gjithçka. Nuk hyra brenda në lokal, sepse pritëm që të vinin dhe të bëheshin verifikimet. Lokali është rreth 100 metra katrorë dhe ndodhet në katin e parë. Ka pasur kamera. Pasi erdhi policia, nuk mora vesh asgjë më shumë. Ngjarjen nuk di me çfarë ta lidh. Këtë e kam deklaruar edhe në polici. As nuk njoh njeri, as nuk kam probleme me çështje pronësie. Nuk e di nëse djali ka pasur ndonjë problem. Djali është artist. Edhe sot e kësaj dite nuk dimë gjë. Nga mediat kemi marrë vesh.”

Në dëshminë e tij ai përmendi edhe emrin e Kleviol Ahmeti, për të cilin tha se e njeh vetëm nga rrjetet sociale dhe muzika.

“Kleviol Ahmetin e kemi dëgjuar. Di që merret me muzikë dhe me rrjete sociale. Di që ka pasur xhelozira me djalin tim. Më duket se është nga Lushnja. Nuk kam pasur dyshime për dikë, sepse nuk kam menduar që kam pasur hasmëri aq sa dikush ta bënte atë.”

Po ndodh...

ide