U zgjodh drejtues i SPAK! Dumani i dorëzon sot mandatin Klodian Brahos

22 Dhjetor 2025, 08:25 / AKTUALITET ALFA PRESS

U zgjodh drejtues i SPAK! Dumani i dorëzon sot mandatin Klodian Brahos

Në prokurorinë e Posaçme sot në orën 10:00 mbahet ceremonia e kalimit të detyrës nga Altin Dumani, te kryeprokurori i ri Klodian Braho i zgjedhur me 7 vota të anëtarëve të KLP-së.

Kreu i Spak ka një mandate 3 vjeçar, pa të drejtë rizgjedhjeje. Altin Dumani, i cili pasoi Arben Krajën, të parin drejtues të Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion, tashmë do të jetë prokuror në SPAK, deri në vitin 2028, kur i përfundon mandati 9-vjeçar.

Kush është Klodian Braho?

Rrugëtimi profesional i Klodjan Brahos në sistemin e drejtësisë nisi më 14 nëntor 2007, menjëherë pas përfundimit të studimeve në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës dhe diplomimit në Shkollën e Magjistraturës. Vendin e parë të punës e mori në Prokurorinë e Beratit, ku shërbeu deri në vitin 2012.  Gjatë viteve të para të punës së tij ai u shqua për angazhimin e tij në hetimin çështjeve kriminale, gjë e cila i dha një bazë të fortë për lëvizjet e mëvonshme.

Në vitin 2012, ai u transferua në Prokurorinë e Vlorës, ku shërbeu deri në vitin 2015. Gjatë kësaj periudhe, Braho mbajti edhe detyrën e zëvendësdrejtuesit të prokurorisë, duke nisur të njihej si një prokuror i aftë në menaxhimin e dosjeve voluminoze dhe të natyrës së veçantë.

Viti 2015 ishte vendimtar pasi ai u bë pjesë e Prokurorisë për Krime të Rënda në Tiranë, strukturë që në atë kohë trajtonte çështjet më delikate. Me firmën e Adriatik Llallës, kryeprokurorit të atëhershëm, Braho u soll në Tiranë. Asokohe ai u angazhua në hetime të nivelit të lartë, përfshirë çështje që lidhnin zyrtarë dhe rrjetet kriminale të organizuara.

Me shpërbërjen e Krimeve të Rënda dhe krijimin e SPAK, më 19 dhjetor 2019, Klodjan Braho u emërua prokuror i posaçëm. Më herët, në korrik të vitit të njëjtë, ai ishte konfirmuar në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, vendim që i hapi rrugën përfshirjes së tij në strukturën e re të reformës në drejtësi.

Në SPAK ai mori një rol aktiv në seksionin e korrupsionit dhe u njoh për angazhimin e tij në dosje që preknin administratën publike, pushtetin vendor dhe çështje të krimit ekonomik.

Ndër dosjet më të njohura që ai ka ndjekur renditet ajo ndaj ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla, një çështje që pati jehonë të madhe dhe përfundoi me dënim të formës së prerë ndaj Llallës, duke qenë se ky i fundit ishte dhe ai që e “lëvizi” Brahon.

Braho, tashmë si prokuror i SPAK, ishte ndër drejtuesit e hetimeve që çuan Llallën drejt një dënimi të formës së prerë prej dy vitesh burg për fshehje pasurie, si dhe drejt sekuestrimit e konfiskimit të pasurisë së tij. Kjo çështje provokoi largimin e Llallës nga vendi dhe marrjen e azilit politik në Itali, ndërsa Braho, në cilësinë e prokurorit të dosjes, i dërgoi autoriteteve italiane letërporosi për ekstradimin e tij

Në mars 2023, ai dha dorëheqje nga një pjesë e hetimit në dosjen e inceneratorëve, pas pretendimeve të ngritura nga subjekte të përfshira, duke kërkuar të shmangte çdo perceptim të mungesës së transparencës. Ky vendim u ndoq me interes nga opinioni publik, duke e vendosur sërish Brahon në qendër të vëmendjes.

Një tjetër kapitull i rëndësishëm në karrierën e Klodjan Brahos lidhet me kohën kur ai dhe Aurel Zarka shiheshin si “dyshja e artë” e prokurorisë së Vlorës. Të rinj, ambiciozë dhe aktivë në dosje të ndjeshme, ata hetuan së bashku kryebashkiakun e Vlorës, Shpëtim Gjika, për “shpërdorim detyre”, një çështje që më pas ndikoi në rënien e tij nga drejtimi i bashkisë. Por rrugët e dy miqve të dikurshëm morën kahje diametralisht të kundërta. Më 24 korrik 2024, ishte pikërisht Klodian Braho që firmosi për arrestimin e Aurel Zarkës.

Ndër dosjet që i dhanë Brahos një profil më të lartë publik, mund të veçohet edhe hetimi ndaj drejtorëve të Bashkisë së Tiranës, në atë të ashtuquajturën skema “5D”. Me firmë të Brahos u lëshuan masa arresti me burg për Redi Mollën, ish drejtor i Ujësjellës Kanalizime, Taulant Tushën, ish drejtor i Punëve Publike, dhe Mariglen Qaton, ish drejtor i IMT.

Ndërkohë që një tjetër çështje e rëndësishme është dhe ajo e Inceneratorit të Elbasanit, një aferë prej 22 milionë eurosh që për vite me radhë është konsideruar si shembull tipik i korrupsionit qeveritar.

Në këtë dosje, Klodjan Braho punoi në bashkëpunim me Arben Krajën. Hetimet përfunduan me dërgimin përpara drejtësisë të ish-ministrit Lefter Koka dhe disa bashkëpunëtorëve të tij në ministri dhe në kompani private. Çështja u mbyll me dënimin e Kokës me 5 vite e 8 muaj burg dhe me sekuestrimin e një pjese të pasurisë së tij, ndërsa u dhanë gjithashtu dënime për Alqi Bllakon, Klodian Zoton, Mirel Mërtirin dhe disa ish-zyrtarë të tjerë.

Në vitin 2022, Braho u përfshi për herë të parë në garën për drejtimin e SPAK, por procesi i atëhershëm përfundoi pa kandidaturën e tij, pasi ai u tërhoq për arsye që nuk u bënë publike. Ndërkohë që këtë vit vendosi që të kandidonte sërish dhe duke marrë kështu dhe besimin e shtatë prej anëtarëve të KLP-së.

Po ndodh...

ide