Deklarata që u konsiderua fyese ndaj Erdogan, gazetari turk rrezikon 5 vite burg

17 Korrik 2025, 17:07 / BOTA ALFA PRESS

Deklarata që u konsiderua fyese ndaj Erdogan, gazetari turk rrezikon 5 vite

Prokurorët turq kanë hartuar një aktakuzë që kërkon një dënim me burg prej të paktën pesë vitesh për gazetarin e pavarur Fatih Altayli, për deklaratat e tij që u konsideruan fyese ndaj Presidentit Rexhep Tajip Erdogan.

Altayli, i cili ka më shumë se 1.5 milion abonentë në YouTube , u la në paraburgim muajin e kaluar në pritje të gjyqit për komentet që bëri në një video në mediat sociale në lidhje me një sondazh që zbuloi se shumica e turqve nuk ishin dakord që Erdogan të mbetej udhëheqës i vendit përgjithmonë.

Para arrestimit të tij, Altayli i tha gjykatës se komentet e tij ishin shtrembëruar dhe ishin pjesë e një debati retorik dhe historik. Në video, duke iu referuar historisë osmane, ai tha se turqit “vranë” ose “mbytën” udhëheqësit e tyre kur nuk i donin më në pushtet.

Deklaratat e tij shkaktuan reagime të forta, me këshilltarin e Erdoganit, Oktay Saral, i cili shkroi në Platformën X se “uji i Altaylit ka filluar të vlojë”.

Aktakuza, sipas tv turk TRT-së, e akuzon Altaylin për “kërcënim të presidentit”, një vepër penale që, sipas kodit penal turk, dënohet me një dënim minimal prej pesë vjetësh burgim.

Rasti është pjesë e një goditjeje më të gjerë ndaj zërave të opozitës në Turqi në muajt e fundit, pas arrestimit në mars të kryetarit të bashkisë së Stambollit, Ekrem Imamoglu, kundërshtarit kryesor politik të Erdoganit.

 

Po ndodh...