Gjermania përjeton ditën më të nxehtë të vitit, temperaturat arrijnë deri në 40°C! Në disa zona të vendit nisin edhe reshje shiu

2 Korrik 2025, 17:58 / BOTA ALFA PRESS

Gjermania përjeton ditën më të nxehtë të vitit,

Gjermania po kalon ditën më të nxehtë të këtij viti deri tani, me temperatura që në disa zona kanë kapërcyer 35°C dhe në disa raste kanë arritur deri në 40°C.

Vala e të nxehtit me emrin “Betina” pritet të pasohet nga stuhi, kryesisht në pjesën perëndimore dhe juglindore të vendit. Temperatura më e lartë e regjistruar deri tani ishte 38.3°C në Andernach, në landin e Rheinland-Pfalz.

Megjithatë, në pjesën më të madhe të vendit, temperaturat janë mbi 34°C. Ndikimi në transportin hekurudhor ka qenë deri tani i kufizuar, ndërsa në Saksoninë e Poshtme, vala e të nxehtit ka shkaktuar dëmtime serioze në asfaltin e një autostrade kryesore, duke sjellë vonesa të mëdha në qarkullimin e automjeteve.

Sipas mediave gjermane, që nga mbrëmja e djeshme, dy zjarre pyjore janë aktive në landin e Brandenburgut. Ato janë vënë nën kontroll, por kërkojnë ende praninë e vazhdueshme të zjarrfikësve në terren.

Në të gjithë Gjermaninë po merren masa për përballimin e temperaturave ekstreme: janë hapur ambiente me ajër të kondicionuar, përfshirë edhe kishat, janë anuluar aktivitetet dhe punët në ambiente të hapura, ndërsa disa shkolla kanë kufizuar funksionimin e tyre.

Autoritetet u bëjnë thirrje veçanërisht personave më të rrezikuar të qëndrojnë në ambiente të freskëta dhe të shmangin çdo aktivitet fizik të rëndë. Ndërkohë, mijëra qytetarë kërkojnë freski në parqe, liqene dhe pishina publike.

Vala e të nxehtit pritet të fillojë të zbutet gradualisht në mbrëmje. Megjithatë, në disa zona të Renanisë Veriore – Vestfalisë, tashmë janë regjistruar reshje të dendura shiu dhe erëra të forta që arrijnë deri në 95 km/h.

 

Po ndodh...

ide