Lajme flash

Sulmi në Sumy me 34 të vdekur, reagon Kremlini: Rusia godet vetëm objektiva ushtarake

14 Prill 2025, 13:54 / BOTA ALFA PRESS
Sulmi në Sumy me 34 të vdekur, reagon Kremlini: Rusia godet vetëm

Kremlini deklaroi të hënën se Rusia godet vetëm objektiva ushtarake, kur u pyet në lidhje me sulmin në qytetin Sumi të Ukrainës Veriore, raportoi agjencia Reuters. Ukraina njoftoi të dielën se dy raketa balistike ruse vranë 34 persona dhe plagosën 117 të tjerë në Sumi, në atë që konsiderohet si sulmi më vdekjeprurës ndaj civilëve në vitin 2025.

Pamjet nga momenti i sulmit tregojnë kaos të plotë, rrënoja, makina të përfshira nga flakët dhe trupa të gjakosur. Sipas autoriteteve ukrainase, në mesin e viktimave janë edhe dy fëmijë. Raketat, gjithashtu, thuhet se ishin të pajisura me bomba kasetore.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e cilësoi sulmin si akt mizor dhe akuzoi presidentin rus Vladimir Putin për injorimin e përpjekjeve të SHBA-së për një armëpushim të plotë dhe pa kushte. Zelensky theksoi se paqja në Ukrainë mund të arrihet vetëm përmes presionit ndaj Moskës dhe u bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të mos qëndrojë i heshtur apo indiferent.

I dërguari special amerikan Keith Kellogg shkroi në platformën “X” se sulmi “kapërceu çdo kufi”, dhe shtoi se “prandaj presidenti Trump po punon fort për t’i dhënë fund këtij lufte”.

Kryeministri britanik Keir Starmer u shpreh i “tronditur” dhe kërkoi që Putin të pranojë menjëherë një armëpushim të plotë pa kushte. Presidenti francez Emmanuel Macron gjithashtu theksoi nevojën urgjente për një armëpushim, duke deklaruar se “të gjithë e dinë që vetëm Rusia e do këtë luftë”.

Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Kaja Kallas, e quajti sulmin një shembull “të tmerrshëm” të përshkallëzimit të sulmeve ruse, ndërsa presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, u shpreh i “tërbuar” nga kjo “sulm kriminal”.

Ndërkohë, bisedimet mes SHBA-së dhe Rusisë vijojnë prej më shumë se dy muajsh, megjithëse sulmet ruse janë intensifikuar. Vetëm një javë më parë, 19 persona, përfshirë nëntë fëmijë, u vranë në qytetin Krivi Rih pas një bombardimi tjetër rus.

Përkundër pamjeve tronditëse të fëmijëve të vrarë në një kënd lojërash dhe të rriturve të djegur brenda makinave të tyre, reagimi nga SHBA ishte i vakët. Ambasadorja në largim e SHBA-së në Ukrainë, Bridget Brink, shkroi në “X” se ishte e “tmerruar” dhe se “lufta duhet të përfundojë”.

Analistët dhe vëzhguesit, si dhe Kievi, kanë krahasuar këtë reagim të dobët me fotot e një takimi miqësor mes këshilltarit amerikan Steve Ëhitcoff dhe presidentit rus Vladimir Putin të premten e kaluar në Shën Petersburg – takimi i tretë i tyre.

Takimi zgjati mbi katër orë, dhe ndonëse nuk pati deklarata zyrtare, raportimet thonë se Whitcoff po shtyn idenë që mënyra më e shpejtë për një armëpushim është që Kievi të dorëzojë katër rajonet ukrainase nën kontroll rus, përfshirë Khersonin dhe Zaporizhian. Zelensky shpreson që Shtëpia e Bardhë ta kuptojë se Putin thjesht po fiton kohë, dhe mbetet për t’u parë nëse SHBA do të ushtrojë presion real ndaj Moskës për të nisur negociatat.

Po ndodh...