Rusia godet portin Pivdeni në jug të Ukrainës, përshkallëzohen sulmet në rajonin e Odesës

20 Dhjetor 2025, 15:39 / BOTA ALFA PRESS

Rusia godet portin Pivdeni në jug të Ukrainës,

Rusia ka sulmuar sot portin Pivdeni në jug të Ukrainës, bënë të ditur zyrtarë ukrainas, duke përshkallëzuar goditjet në rajonin e Odesës përgjatë Detit të Zi. Sulmet kanë pasur në shënjestër, ndër të tjera, infrastrukturën energjetike dhe korridoret kritike që çojnë drejt kufirit me Moldavinë.

Moska ka nisur një fushatë pothuajse të pandërprerë sulmesh me dronë dhe raketa kundër kësaj zone, ku ndodhen porte me rëndësi jetike për tregtinë e jashtme të Ukrainës dhe furnizimet me karburant, pasi Rusia ka kërcënuar se do ta izolojë Ukrainën nga deti.

Sulmet ajrore janë intensifikuar edhe pse Shtetet e Bashkuara vijojnë përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës. Negociatorë amerikanë pritet të takohen sot në Florida me zyrtarë rusë, në përpjekjen më të fundit për arritjen e një marrëveshjeje mes Rusisë dhe Ukrainës.

Sipas zëvendëskryeministrit ukrainas Oleksii Kuleba, sulmi i sotëm në portin Pivdeni ka goditur depozita, siç bëri të ditur ai përmes një postimi në Telegram. Kjo vjen një ditë pasi një sulm me raketa në të njëjtin port la të paktën tetë të vdekur dhe mbi 30 të plagosur.

Të enjten dhe të premten, forcat ruse kanë shënjestruar edhe një urë në grykëderdhjen e lumit Dniester, pranë fshatit Majiaki, në verilindje të Pivdenit, sipas autoriteteve ukrainase. Kjo urë përbën të vetmen rrugë kryesore drejt pikave kufitare me Moldavinë në perëndim.

“Pa shënuar suksese të rëndësishme në front, armiku po përpiqet të terrorizojë civilët për të krijuar destabilizim të brendshëm. Këto plane janë të qarta dhe po i kundërpërgjigjemi në mënyrë efektive së bashku me qytetarët e Odesës,” shkroi në Telegram zëvendësshefi i administratës presidenciale, Viktor Mykyta.

Autoritetet ruse nuk kanë komentuar mbi këto sulme.

Ndërkohë, autoritetet ukrainase kanë devijuar përkohësisht udhëtarët drejt të gjitha pikave të kalimit kufitar me Moldavinë. Mykyta tha se Ukraina do të krijojë sa më shumë rrugë alternative kalimi sa të jetë e nevojshme, “pavarësisht se sa fort përpiqet armiku të shkatërrojë lidhjen”.

Po ndodh...

ide