Trump dhe Netanyahu, takohen për Gazën: Synohet marrëveshje për armëpushim 60-ditor

8 Korrik 2025, 21:50 / BOTA ALFA PRESS

Trump dhe Netanyahu, takohen për Gazën: Synohet marrëveshje

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka njoftuar se do të takohet sërish mbrëmjen e sotme me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, në përpjekje për të avancuar drejt një marrëveshjeje për Gazën. Ky do të jetë takimi i dytë mes tyre në më pak se 24 orë, pas darkës së zhvilluar në Shtëpinë e Bardhë.

“Ai do të vijë më vonë. Do të flasim, do të thoja, pothuajse ekskluzivisht për Gazën. Duhet ta zgjidhim këtë çështje”, u shpreh Trump përpara gazetarëve.

Presidenti amerikan tha se të dy janë të përkushtuar për të gjetur një zgjidhje dhe theksoi se edhe pala tjetër, duke iu referuar Hamasit, është e interesuar për të arritur një marrëveshje.

Ndërkohë, i dërguari special i Trump, Jason Witkoff, deklaroi se po punohet për një marrëveshje që pritet të finalizohet deri në fund të kësaj jave. Ajo parashikon një armëpushim 60-ditor, gjatë të cilit 10 pengje të gjalla dhe 9 trupa të viktimave do të lirohen.

Netanyahu ndodhet në vizitë zyrtare në Uashington deri të enjten, në vizitën e tij të tretë në kryeqytetin amerikan që nga rikthimi i Trump në pushtet në janar 2025. Takimet pritet të jenë vendimtare për ecurinë e negociatave mes Izraelit dhe Hamasit.

 

Po ndodh...