Ukraina kryen sulmin më të madh me dronë kundër Rusisë! 3 të vrarë dhe 18 të plagosur! Delegacionet nga Kievi dhe SHBA bisedojnë për negociata e paqes

11 Mars 2025, 18:00 / BOTA ALFA PRESS

Ukraina kryen sulmin më të madh me dronë kundër Rusisë!

Tre persona janë vrarë në rajonin e Moskës gjatë 24 orëve të fundit, bëjnë me dije autoritetet në Rusi.

BBC raporton se sulmi i fundit në Moskë, cilësohet si sulmi më i madh me dronë në kryeqytetin rus që nga fillimi i luftës në shkallë të gjerë me Ukrainën.

Ndërkohë që raportohet se nga sulmi me dronë kanë mbetur të plagosur 18 persona, përfshirë 3 fëmijë, sipas zyrtarëve shëndetësorë rusë.

Mësohet se dhjetëra automjete u shkatërruan në Moskë, pasi droni ra në një parking.

Ministria ruse e mbrojtjes tha se 337 dronë u kapën mbi Rusi dhe 91 prej tyre u rrëzuan mbi rajonin e Moskës.

Kryetari i Bashkisë së Moskës Sergei Sobyanin tha se shtatë apartamente u dëmtuan në Ramenskoye, teksa e cilësoi sulmin e fundit si “sulm masiv”.

Sulmi në Moskë u regjistrua disa orë përpara takimi të ngushtë midis përfaqësuesve nga SHBA dhe Ukraina në Arabinë Saudite, një takim i fokusuar në përfundimin e luftës midis Rusisë dhe Ukrainës.

Bisedimet në Jeddah midis delegatëve ukrainas dhe sekretarit amerikan të shtetit Marco Rubio janë takimi i parë zyrtar që nga takimi i tensionuar i muajit të kaluar në Shtëpinë e Bardhë midis presidentit të Ukrainës Volodymyr Zelensky dhe homologut të tij amerikan Donald Trump.

Rubio tha dje se, si pjesë e një marrëveshjeje për të ndaluar luftën, Ukrainës mund t’i duhet t’i dorëzojë territorin Rusisë, duke shtuar se të dyja palët duhet të kuptojnë se “nuk ka zgjidhje ushtarake për këtë situatë”.

Kujtojmë se presidenti Zelensky u ka bërë thirrje aleatëve të tij evropianë që të mbështesin idenë e një armëpushimi ajror dhe detar, që ai thotë se do të ishte një shans për të provuar gatishmërinë e Moskës për t’i dhënë fund luftës.

Kohët e fundit, pozicionet e Ukrainës në fushën e betejës janë vënë nën presion të madh, veçanërisht në rajonin rus të Kurskut, ku forcat e Moskës kanë nisur një ofensivë për të nxjerrë jashtë trupat e Kievit, të cilët janë përpjekur të mbajnë kontrollin e një cope territori, për ta përdorur në të ardhmen, për shkëmbim.

 

Po ndodh...