VMRO-DPMNE shpall fitoren e parlamentit dhe presidencës

8 Maj 2024, 22:44 / BOTA ALFA PRESS

VMRO-DPMNE shpall fitoren e parlamentit dhe presidencës
Partia e opozitës në Maqedoninë e Veriut, VMRO-DPMNE shpalli fitoren në zgjedhjet presidenciale dhe ato parlamentare që u mbajtën këtë të mërkurë.

Në një reagim pa u mbyllur ende procesi i numërimit, por që trendi i votave është shumë i vështirë të ndryshojë,  VMRO-DPMNE deklaroi se ka siguruar 58 nga 120 vendet që ka parlamenti dhe fitoren e Gordana Siljanovska Davkova në garën për president me më shumë se 67% të votave përballë presidentit aktual Pendarovski.

Në kampin politik shqiptar, të dy koalicionet rivale kanë shpallur fitoren e tyre. Bashkimi Demokratik për Integrim me koalicionin Fronti Evropian thotë se është fitues absolut i zgjedhjeve, por pa saktësuar ende numrin e votave ose të vendeve në parlament.

Ndërkaq, koalicioni VLEN, që po ashtu ka deklaruar fitoren absolute, e vlerëson procesin e votimit si jodemokratik, me parregullsi e blerje votash, teksa kërcënon se do të ketë përgjegjësi për dhunimin e votës.

Megjithëse rezultatet ende nuk janë shpallur zyrtarisht, duket se humbëse e madhe në këto zgjedhje është Lidhja Social Demokrate. Sipas disa parashikimeve, ajo mund të ketë siguruar midis 24 dhe 26 vendeve në parlament,

Komisioni Shtetëror i Zgjedheve bëri të ditur më herët se është arritur pragu i nevojshëm prej 40% i pjesmarrjes në votime, që zgjedhjet presidenciale të quhen të vlefshme. Mbi 46 për qind është përfaqësimi në balotazh, teksa për zgjedhjet parlamentare është mbi 53 për qind.

 

 

Po ndodh...