Dosje/ Kadillaku i kuq i vrasësit të tmerrshëm Altin Dardha!

29 Korrik 2022, 14:12 / AKTUALITET ALFA PRESS

Dosje/ Kadillaku i kuq i vrasësit të tmerrshëm Altin Dardha!

...Imazhi i Altin Dardhës, pas kthimit nga Greqia, duhej rindërtuar. Ai u shfaq në majë të një veturë të hatashme. Ishte një “Cadillac” i kuq, krejt i ri, zhurma e motorit të të cilit pothuaj nuk kapej nga aparati i dëgjimit të njeriut. Qysh nga kjo kohë, supermakina do të bëhej pjesë e rëndësishme e ngjarjeve të vitit 1997 në Berat. Historia e saj ishte vërtet ndjellëse.

– E gjetëm Cadillac-un! R. Ziu e ka murosur te pularia...

Pas kthimit nga kurimi në Janinë, spiunët e shumtë mezi kishin pritur ti jepnin Altin Dardhës informacionin joshës. Bëhej fjalë për një veturë “Cadillac”, e prodhimit amerikan, pothuaj e re, të cilin askush nuk e kishte parë qysh pas rrëzimit të shtetit për shkak të skemave mashtruese rentiere. Makina, pas të cilës kishin nisur të linin sytë gjithë të rinjtë e Beratit, ishte zhdukur bashkë me të zotin, R. Ziu, një emigrant që e kishte sjellë nga Zvicra.

Por çerrat e Altin Dardhës kishin siguruar ndërkohë një të dhënë të saktë që thoshte se i zoti, nga frika se do ja merrnin me dhunë, e kishte murosur. Ajo gjendej te ambientet e ish-pularisë, në hyrje të qytetit të Beratit, pranë shtratit të lumit Osum. Altin Dardhën nuk e zë vendi. Ai i dërgon fjalë R. Ziut që t’i sillte makinën. Ta sillte me të mirë. Por Ziu nuk gjendej. Çerrat i sjellin Altinit vetëm xhaxhanë e tij, të cilin ai e rreh si i tërbuar. Më pas ata u hipin makinave dhe marrin rrugën për te vendi i quajtur “Pularia”.

Ndërtesa ku fshihej mjeti i rrallë, e kishte hyrjen të murosur. Ajo ishte suvatuar dhe lyer me aq merak, sa jepte përshtypjen sikur muri kishte qenë gjithë kohën aty. Por çerri i informatës e dinte me saktësi se cilën pjesë të tij duhet të rrëzonin. Fjalën e marrin varetë dhe kazmat. Kur pluhuri shpërndahet, në brendësi nis të shkëlqejë si xhevahir, me të gjitha vlerat e luksit amerikan, Cadillac-u i kuq i R. Ziut. Në magazinë kishte edhe surpriza të tjera. Bashkë me Cadillac-un aty ishte fshehur edhe një tjetër mjet. Ishte një furgon tip “Renault”, krejt i ri, që e mori Ilir Jaupi.

Qysh nga ajo ditë Cadillac-u i kuq do të lidhej fort me ndjenjën e ankthit në Berat. Bëmat e vjetra dhe të reja e kishin vendosur Altin Dardhën në krye të piramidës të emrave më të frikshëm të krimit. Kështu që, shfaqja e tij, tashmë e konceptuar vizualisht bashkë me Cadillac-un e kuq, nis të shndërrohet në një ritual ankthndjellës për qytetarët gjaktrembur.

Pasi e bënte gjumin të plotë, aty rreth orës 11:00, pothuaj me përpikëri, i kapardisur në vendin e shoferit, Altin Dardha shfaqej në mes të qytetit, në sheshin para Hotel – Turizmit, duke lajmëruar praninë me një breshëri plumbash në ajër. Menjëherë më pas, mes tmerrit, qendra e qytetit pastrohej nga njerëzit që merrnin arratinë duke u mbyllur nëpër banesat e tyre apo edhe duke u fshehur nëpër lagje. Ishte një breshëri që la- jmëronte mbylljen e të gjithë aktivitetit në qytet, duke deklaruar njëkohësisht fillimin e kohës së një lloj shtetrrethimi, mbret i të cilit ishte njeriu me Cadillac të kuq - Altin Dardha. Me kalimin e ditëve, duke fituar një lloj refleksi të kushtëzuar, banorët largoheshin pa qenë nevoja që Altin Dardha të qëllonte në ajër. Mjaftonte që në horizont të shfaqej, duke u afruar, turiri, i gjatë e i kuq, i veturës së tij.

Ata që patën rastin ta vëzhgojnë nga afër, do të fiksonin në memorie imazhe që nuk shlyhen lehtë; zvarritjen ngëc-ngëc, me marsh të parë, të makinës, mungesën e zhurmës së motorit, kërcitjen ngjethëse të guralecëve nën goma, sidomos pamjen kërcënuese të kallashnikovëve, me nga tre karikatorë të lidhur bashkë, të nxjerrë në mënyrë demonstrative nga dritaret, me tyta të mbështetura te mbajtësja prej inoksi e pasqyrës...

Qysh nga kjo kohë, banorë të zonës, do të rrëfenin edhe ndonjë përballje tronditëse. I fiksuar prej mendimit se në territor mund të futeshin të afërm të viktimave të tij, të cilët kishin për qëllim hakmarrjen, Altin Dardha, pasi u ndalonte Cadillac-un te këmbët, niste të merrte në pyetje fytyrat që i dukeshin të panjohura.

Seanca niste me një vështrim zhbirues nga koka te këmbët. Më tej pasonte një pyetje e vrazhdë, e lëshuar me përtesë.

- Nga je ti?

Pas marrjes së përgjigjes, Altini e kishte bërë zakon ti ngulte tjetrit një vështrim depërtues, të ftohtë, të pandërprerë dhe të pa fund, që të kallte datën. Kalimtarëve u ngrinte përgjigjja në mes të buzëve. Gjithçka përkeqësohej kur vështrimi i tyre puqej me atë të Altin Dardhës dhe zbulonin mungesën e njërit sy. Kalimtarët mbusheshin me djersë të ftohta. Instikti u thoshte se tashmë e kishin vërtet punën pisk. Qenia e tyre niste të vuante pasojat që injektonin njohuritë për agresivitetin e qenve me një sy, të cilët gjatë gjithë kohës hungërijnë në mënyrë armiqësore dhe kafshojnë, sapo u jepet rasti, gjithkënd që u afrohet, sidomos në krahun nga u mungon syri.

Në këtë çast, kalimtarëve u mbushej mendja se tashmë, tjetrit, vetëm një grimcë e fundit dyzimi ja frenonte vendimin për të ngritur armën, drejtuar tytën dhe tërhequr këmbëzën. Një mendim që shoqërohej me ndryshim të ngjyrës së fytyrës dhe fluks të papritur të shijes së hidhur të vrerit poshtë gjuhës. Kalimtari hipnotizohej si lepuri përpara gjarprit. Sekondat gjeneronin mendime pafund. Koha dukej sikur ngecte në vend. Jeta dhe vdekja përkundeshin mbi një fije peri...

Dikur gurët poshtë gomave të makinës kërcisnin. Makina niste lëvizjen, por vështrimi i Altin Dardhës nuk i ndahej syve të viktimës. Duket, ai eksitohej nga këto skena dhe dëshironte ta shijonte tmerrin e tjetrit deri në sekuencën e fundit. Vetëm disa metër më tej, kur i duhej të shihte rrugën, që të mos e hidhte makinën në ndonjë kanal, ai e shkëpuste vështrimin, - një veprim që e shoqëronte me një të sharë përtace, lëshuar në drejtim të paditur.

Kalimtari mbetej në mes të rrugës, i ngrirë dhe me hijen e vdekjes./ Pasazh nga libri "Altin Dardha" i gazetarit Ferdinand Dervishi

Po ndodh...