Kush është Armand Duka/ Nga ekonomist në parkun e mallrave Burrel, 20 vite mbret i futbollit shqiptarë

15 Mars 2022, 11:36 / DOSJE NGA ALFAPRESS.AL

Kush është Armand Duka/ Nga ekonomist në parkun e mallrave

Ashtu siç ka ndodhur sistematikisht që nga viti 2002 kur u zgjodh për herë të parë president i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, sa herë që në këtë “qeveri” të sportit më të dashur zhvillohen zgjedhjet, kthehet në qendër të debatit publik e madje edhe politik.
Por kush është njeriu që ka kaluar nëpër duar kryeministrat Fatos Nano, Sali Berisha dhe prej 9 vitesh edhe Edi Ramën, duke triumfuar gjithmonë mbi ta?
Cila është fuqia e Armanad Dukës të cilin nuk e shkuli dot as Sali Berisha (Klani i Zemunit e quante) në dy mandatet e tij dhe prej disa vitesh as Edi Rama i plotfuqishëm ?

Ai ka lindur në 6 dhjetor 1962 në Shijak dhe është prind i dy fëmijëve. Arsimin e lartë e ka kryer gjatë viteve 1981-1986 në Universiteti i Tiranes, Dega e Ekonomisë për Industri.
Pas kësaj Duka në vitet1986-1990 ka punuar si ekonomist në Parkun e Mallrave në Burrel dhe më pas, po në të njëjtin pozicion, në parkun e mallrave të eksportit në Durrës.
Nga viti 1991 nisi të merrej me biznes të vogël dhe nga viti 1993 dhe në vazhdim, u shndërrua në një biznesmen të madh kur edhe krijoi kompaninë “AIBA” ndër të parat dhe më të njohurat në vend për prodhim dhe tregti të produkteve blegtorale.
Gjithashtu Armand Duka u shtri edhe në biznesin e madh të elektro-shtëpiakeve, të supermarketeve, të prodhimit dhe tregtisë me shumicë të ushqimeve, në sektorin e telefonisë, medies, etj.
Në vitin 2002 si një biznesmen tashmë i madh, kandidon për herë të parë për postin e presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit. Që atëherë dhe deri në vitin 2018 ai ka gëzuar plot 6 mandate në këtë post të lartë të qeverisë së futbollit shqiptarë, duke thyer kështu edhe rekordet e çdo drejtuesi institucionesh në vend, në kohën e demokracisë.
Që nga viti 2016 e në vazhdim, Armand Duka është edhe Zv/Kryetar i Komitetit HatTrick (I vetmi komitet në UEFA që merr vendime pa Komitetin Ekzekutiv dhe me portofolin më të lartë në UEFA), anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s. Gjithashtu Duka ka pasur poste edhe në FIFA, 2008 – 2012, anëtar i komitetit te Federatave dhe 2012 – 2017, anëtar i Komitetit Organizator të Kupës se Konfederatave
Armand Duka gëzon nga Bashkia e Shijakut titullin “Qytetar Nderi”; nga Bashkia e qytetit të Durrësit dhe shoqata “Durrësi” titullin “Nderi i Qytetit” dhe “Simbol i qytetit”, për kontribut dhënë në zhvillimin ekonomik të qytetit si dhe për vlerat e spikatura, profesionale dhe humane, në dobi të interesave të qytetit
2002: Bashkia e qytetit te Durrësit dhe Shoqata “Durrësi” i jep titullin ‘Simbol i Qytetit të Durrësit, si dhe është nderuar nga presidenti Bamir Topi me dekoratën e lartë “Naim Frashëri”.
***
Kështu “mbretit absolut” të futbollit shqiptarë tashmë nuk i mungon asnjë gjë, edhe pse ka ardhur dita që ti vënë tritol te dera e vilës luksoze.
Ndërkohë që po bëhet gati për mandatin e shtatë në krye të FSHF, ai e gjen veten të blinduar me pushtet, para dhe miq, e mbrojtje të fortë në UEFA dhe FIFA.
Por duket se këtë herë ka “një problem”. Edi Rama pasi ka mbaruar punë në këto 9 vite me çdo institucion në këtë vend, përfshi edhe shumicën e medieve dhe opozitën, duket se kërkon përfundimisht edhe qeverinë e Futbollit.
***
Gjithsesi Armand Duka, ka ditur që të kalojë çdo furtunë.
Kujtojmë se menjëherë pasi Sali Berisha u rikthye në pushte në vitin 2005, një nga çmontimet e para që synoi ishte pjesëtari i “Klanit të Zemunit” nga froni i FSHF, (siç i quante në opozitë vëllezërit Agron dhe Armand Duka), shumë të lidhur deri në atë kohë me Fatos Nanon.
Kujtojmë se ish-ministri i Arsimit dhe Sportit, Ylli Pango, synoi fort që të shkarkonte Armand Dukën por dështoi.
Pango përdori strategjinë e “krah-marrjes” duke emëruar drejtues të rinj në disa klube futbolli, që ishin në varësi të bashkive të djathta në atë kohë, por gjatë rrugës ndodhi “magjia”. Ata ndryshuar mendim dhe u bashkuan me Armand Dukën.

Edhe deputeti aktual dhe ish-ministër në atë kohë, Bujar Leskaj, mori përsipër misionin për të rrëzuar Dukën nga froni, por u tërhoq shumë shpejt kur kuptoi se ai dhe dinastia që përfaqësonte, në fakt i kishin rrënjët ekonomike dhe politike sa majtas, po edhe aq djathtas.

Edi Rama në pushtet, deri 3-4 vite më parë, nuk e ngacmoi fare Armand Dukën, madje ata i shërbenin njëri tjetrit. I pari duke shfrytëzuar futbollin dhe Kombëtare në funksion të pushtetit dhe propagandës së tij, kurse Duka duke u mjaftuar me fronin e “mbretit” të futbollit shqiptarë.
Por në zgjedhjet e kaluar për presidentin e FSHF, Rama luajti fortë kundër, duke hedhur në lojë një peshë të rëndë si ish-kryeministri (I ndjerë) Bashkim Fino.
Edhe ai dështoi dhe ja ku jemi vetëm 1 javë përpara datës 2 mars, kur do të zhvillohen zgjedhjet e radhës për president të FSHF.
Lufta duket se këtë herë do të jetë teje e ashpër. Në lojë është futur si “shkatërrues” Erio Veliaj, ndërkohë që situata jo vetëm është politizuar në ekstrem, por edhe është kriminalizuar pas tritolit te dera e shtëpisë së Dukës.
Ky i fundit ende nuk e ka shpallur kandidaturën për herë të shtatë, por pas zhvillimeve ka lënë për tëkuptuar se meqenëse po e shantazhojnë, ai do të garojë sërish.
Loja deri në 2 mars është e hapur. A do të zgjidhet sërish në kryet të FSHF ish ekonomisti i parkut të mallrave në Burrel, i cili mban prej 20 vitesh fronin e mbretit absolut të futbollit shqiptarë?

 

Po ndodh...