Ikni me “kuç e maç” nga R.K.K.D.SH!

Vrasje mafioze, vrasje për një fjalë goje dhe një parking. Vrasje me skaf nga një shef policie. Vetëvrasje gati çdo ditë. Vrasje nëpër rrugë dhe trotuare të kalimtarëve, nga makinat e çmendura.
Gjykatës që nxjerrin nga burgu kriminelë që ekzekutohen pak muaj më pas. Çmime të lajthitura. Njerëz që flasin me vete në rrugë.
Edi Rama i mbytur në korrupsion dhe brenda një shteti të falimentuar. SPAK që ka frikë nga Ahmetaj, Agaçi, Veliaj, Beqja. Meta që ka lënë sfurqet dhe ka nisur planet, për thyerje në mes. Berisha që kërkon të klonojë vetveten e vitit 1991.
Medie të shitura gjobvënëse dhe të kriminalizuara, në shërbim të të gjithëve bashkë.
Shqiptarë të ndershëm, të varfër e të pasur që ikin natën e ditën, kur dhe ku të munden nëpër botë...
Kjo është, R.K.K.D.SH, Republika e Korrupsionit- Krimit- Depresionit të Shqipërisë!
Vini re: Nuk është e nervozuar dhe në luftë vetëm klasa politike shqiptare, që ka mbretëruar këto 30 vite
Njësoj si politika edhe organizatat kriminale po tentojnë që të riformatojnë apo konfirmojnë lidershipin. Atentate të paguara dhe mafioze nga njëra anë. Revolucion nga ana tjetër e përpëlitje dhe investime të çdo lloji të Edi Ramës për të bllokuar SPAK dhe drejtësinë. Dy anë të së njëjtës medalje; Të R.K.K.F.SH-së!
Duken si dy botë të ndryshme që bëjnë punët dhe jetët e tyre paralele, por në fakt janë një. Shihini nëpër fushata elektorale; te borderotë e fshehta të policisë, prokurorisë, kryebashkiakëve, ministrave, deputetëve. Aty krim- politikë- biznes- medie, janë bashkë.
Kapot e organizatave të vjetra kriminale janë në luftë, edhe shefat e organizatave politike bëjnë sikur po përleshen mes njëri tjetrit. Kush do ta marrë lidershipin?
Shteti i Rilindjes është kthyer në bankë për një grusht oligarkësh që pastrojnë paratë e korrupsionit dhe krimit, ndërkohë që Rama- Berisha- Meta kanë mbirë në sytë dhe mendjet e shqiptarëve, si të vetmit që mund ta bëjnë këtë vend.
Më zi nuk bëhet, më e pashpresë nuk është dukur kurrë situata.
Popullin shqiptarë po e përfaqësojnë militantët partiakë trushkulur, të korruptuarit dhe përfituesit e vegjël të sotëm e të djeshëm. Ata që duan që të mbajnë R.K.K.F.SH- në e sotme dhe ata që duan të rikthejnë R.K.K.F.SH- në e djeshme.
Ndaj dhe ka ngordhur nervi i protestës së vërtetë, e cila buron vetëm nga shpirti i këputur prej halleve që kjo klasë politike i ka bërë kapicë për shqiptarët.
Ndaj edhe nuk lindin filiza të rinj në politikën shqiptare. Ndaj edhe vrasjet mafioze do të vazhdojnë. Gra e të rinj do të hidhen nga ballkonet, oligarkët e Ramës, do të vjelin edhe më shumë pasuri të luajtshme e të paluajtshme, aq sa i kanë mbetur këtij vendi.
Makutët e pashpirt të pasurimit pa limit, pa turp, pa frikë e me çdo mënyrë, ja kanë arritur qëllimit.
Kanë shtetin e tyre; R.K.F.SH-në. Kush të mundet urgjentisht t`ja mbath larg, për hir të fëmijëve të paktën.
Ikni me “kuç e maç”. As kujtimet e këtyre 30 viteve me berishëra, ramëra, metëra etj, mos i merrni me vete.
Sepse edhe murtaja nuk do ishte kaq e keqe dhe shkatërruese, sa këta të gjithë bashkë!
Kur të ikni mos harroni të merrni me vete qentë dhe macet, se janë 1000 herë më njerëzorë se këta që kanë kapur me thonj në grykë dhe nuk e lëshojnë për qamet këtë vend!/Alfapress.al
-
-
70 milionë euro për yllin e Man.City, PSG heq dorë nga Skriniar
18 Gusht, 13:37 -
Po ndodh...
83 mandatet nuk janë imunitet për shokët dhe shoqet e Ramës
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128



