Opozita në kafaz/ Në gjykatën e Tiranës po ndodh një puç kriminal kundër Shqipërisë!

3 Tetor 2022, 14:28 / EDITORIAL NGA POLI HOXHA

Opozita në kafaz/ Në gjykatën e Tiranës po ndodh një

Po, të gjithë duhet ta dinë dhe ta kuptojnë, se në Gjykatën e Apelit në Tiranë është duke u konsumuar një puç kushtetues, kundër demokracisë dhe pluralizmit shqiptarë.

Nuk ka rëndësi, (tani për tani), se cilët janë protagonistët e vërtetë të këtij krimi të paprecedentë për çdo shtet demokratik. Rëndësi ka pasoja shkatërrimtare, për të tashmen dhe të ardhmen e këtij vendi.

Për plot 7 muaj kjo gjykatë, ata gjyqtarë të cilëve tani për tani nuk ja vlen tu përmendet as emri sepse janë thjesht vegla, po mbajnë peng opozitën shqiptare.

Ndërkohë që sistematikisht marrin vendime lehtësuese për trafikantë ndërkombëtarë droge, bllokojnë ekstradime, dërgojnë nga qelia në shtëpi kriminelë të mëdhenj, zhbllokojnë pronat e tyre të sekuestruara, (etj, etj), që nga data 4 prill e këtij viti është kyçur në kasafortat e kësaj gjykate, ankimimi i kryetarit të komanduar të Partisë Demokratike Enkelejd Alibeaj.

Kanë kyçur në kasafortën e atyre që ju intereson ky ngërç vrastar për vendin, pikërisht statusin juridik përfundimtarë të kësaj force politike, kolonë e pluralizmit.

Ndërkohë që Edi Rama dhe pushteti i tij absolut ka nisur fushatën elektorale për zgjedhjet lokale, opozita e tij e vetme në vend, Partia Demokratike, përveçse e përçarë nga fillimi në fund, po mbahet në kafaz nga ca gjyqtarë që në rastin më të mirë janë të papërgjegjshëm dhe në rastin më ekstrem, kriminelë dhe vrasës të ingranazhit demokratik dhe plural të vendit.

Partisë në pushtet apo në opozitë qofshin, janë etnitete kushtetuese. Askush nuk mund ti trajtojë ato në gjykatë si një çështje e thjeshtë divorci familjarë, të cilat edhe këto marrin drejtim më shpejtë.

Kushtetuta e Shqipërisë i ka vendosur partitë pikërisht te Parimet e saj Themelore dhe përkatësisht te Neni 9:

Partitë politike krijohen lirisht. Organizimi i tyre duhet të përputhet me parimet demokratike.

Partitë politike dhe organizatat e tjera, programet dhe veprimtaria e të cilave mbështeten në metoda totalitariste, që nxitin e përkrahin urrejtjen racore, fetare, krahinore ose etnike, që përdorin dhunën për marrjen e pushtetit ose për të ndikuar në politikën shtetërore, si edhe ato me karakter të fshehtë janë të ndaluara sipas ligjit.

Burimet financiare të partive, si dhe shpenzimet e tyre bëhen kurdoherë publike.

Kurse më sipër në Nenin 3, pikërisht Pluralizmi, pra liria e partive dhe jo futja e tyre në kafaz siç po bën Gjykata e Apelit, përcaktohet te Bazat e panegociueshme të qenësisë së shtetit shqiptarë.

Tani që të jeni të qartë. Në këtë sistem politik në formën e një qerthulli që kemi peshqesh nga kushtetuta Rama- Berisha e vitit 2008, Edi Rama dhe organizata e tij, po qeveris hapur me një sistem monopartiak e autokrat në shtet dhe parti.

E vetmja shpresë për ti ndalur vrullin është Partia Demokratike, por ajo po masakrohet përbrenda nga përçarja që mbjell egër Rithemelimi nga njëra anë dhe nga pengmarrja që po i ndodh prej 7 muajve në gjykatë.

Është tjetër temë se kush qëndron faktikisht pas kësaj, por Edi Rama që tani ka hapur shampanjën për marrjen e pushtetit lokal si paradhënie për mandatin e katërt në vitin 2025.

Kurse Sali Berisha pasi bëri presion të jashtëzakonshme publik e përtej duke akuzuar edhe ambasadat perëndimore, u bë ca kohë që hesht dhe madje e ka të shkruar në ballë që është i kënaqur, me këtë shtyrje pafund të vendimit.

Por këto janë detaje të parëndësishme përball rrezikut kombëtarë që mbart në vetvete ky akt kriminal, anti- rendit demokratik dhe minimit hapur të pluralizmit.

Ata gjyqtarë që e kanë në dorë këtë çështje mund të jenë nën presion, duke u shantazhuar, duke tentuar që të zgjidhin probleme të vetat personale dhe familjare, por duket ta dinë se historia do ti shënjojë si bashkëpunëtorë të minuesve të demokracisë shqiptare.

Nëse nuk marrin një vendim sa më të shpejtë për të nxjerrë opozitën, (Partinë Demokratike), nga ky kafaz ku e ka futur estabilishmenti 32 vjeçarë, “Non Grata” e Sali Berishës, Vangjush Dakos, Tom Doshit e të tjerëve, do tu duket një ditë si ofertë pushimesh!/Alfapress.al



 

 

 

 

Po ndodh...