Si ti kuptojmë mesazhet e fundit të ambasadores Kim te Blendi Fevziu?

30 Shtator 2022, 16:02 / EDITORIAL NGA POLI HOXHA

Si ti kuptojmë mesazhet e fundit të ambasadores Kim te Blendi Fevziu?

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Yuri Kim, mbrëmjen e kësaj të enjteje, na u shfaq “ndryshe” në emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut.

Në medie dhe në rrjet ka plasur gara për të dekriptuar mesazhet e saj, të cilat në fakt ishin të qarta.

Këtë herë me ftohtësi dhe me një gjuhë herë të prerë dhe herë diplomatike, Kim, na tregoj atë që shumë po përpiqen që ta shmangin: Shqipëria është në një kapërcyell historik për sa i përket pushteteve dhe sidomos, fatit të klasës politike të këtyre 32 viteve.

Këtë e tha me vetëm një fjali: Është koha që populli shqiptar dhe qeveria shqiptare të zgjedhin përsëri se cilën rrugë do të ndjekin. Mendojmë se rruga është përpara drejt të ardhmes, drejt Perëndimit!

Ky “ultimatum” nuk është abstrakt. Perëndimi po na e tregon këtë rrugë duke identifikuar Shqipërinë e Edi Ramës si vend hibrid; duke nxjerrë raporte të tmerrshme për nivelin e korrupsionit dhe të krimit të organizuar, të cilat kanë arritur të kenë qeverinë e tyre; duke shpallur “non grata”, Vangjush Dakon, Tom Doshin Aqif Rakipin, Sali Berishën dhe të tjerë majtas dhe djathtas, të cilëve nuk ju ka dalë emir nga “lista britanike”; duke investuar goditjen penale të gjithë klasës politike të korruptuar.

Në intervistën e fundit ambasadorja, shteroi disa çështje.

Për sa i përket opozitës, ajo theksoi, se Sali Berishën SHBA nuk do ta pranojë kurrë. Ky i fundit një ditë më vonë tha se është gati ta takojë Kim, nëse ajo i kërkon falje. Nuk dihet se çfarë po i ndodh Berishës që po bëhet kaq qesharak, por fakt është se askush nga Perëndimi, (se nga SHBA jo e jo), nuk i ka kërkuar takim për të cilin ai mund të vërë kushte.

Pra edhe pas një viti lufte dhe trokitje, Perëndimi konfirmon se ja ka prerë përgjithmonë biletën Berishës. Kjo do të thotë se e bllokuar në marrëdhënie me këtë pjesë të botës është edhe ndërmarrja politiko-private që ai drejton, pasi SHBA as e llogarit Berishën si individ, por vetëm si fenomen që përfaqëson korrupsionin kur ishte pushtet dhe minimin e demokracisë së vendit dhe të partisë, edhe sot e kësaj dite.

Ambasadorja Kim foli edhe për vizitën e saj të “papritur” në zyrat e Partisë së Lirisë, ku qëndroj rreth dy orë me Ilir Metajn. Ajo theksoi se për shumë çështje nuk kishin mendime të njëjta duke nënkuptuar “problemin Berisha”, por theksoj se SHBA i njeh institucionet politike në vend.

Dhe përderisa, Ilir Metaj nuk është ‘non grata”, natyrisht që ai në krye të një force domethënëse politike dhe parlamentare si ish- LSI, është ende pjesë e lojës aktuale.

Por ky pasazh, kjo lloj “amnistie” që Kim i bëri Metajt, në krahun e Rithemelimit u festua në ekstazë. Shpërthyen komentet dhe analizat duke e paraqitur këtë “hap prapa’ të ambasadores, si një lloj reflektimi që prek edhe aleatin e Metajt, Sali Berishën.

Në fakt ambasadorja ashtu siç theksoi fjalën “kurrë” për Berishën, edhe për Metajn kur u pyet a e kishin furnizuar SPAK me informacione për atë, u përgjigj ftohtë: No koment!

‘Nuk komentoj” në gjuhën e diplomatëve, domethënë konfirmim.

Gjithsesi ashti i asaj interviste ishte lëshimi që SHBA dhe Perëndimi i kanë bërë me sa duket pa kthim pas, pushtetit kleptokratik dhe të lidhur me krimin e organizuar të Edi Ramës.

Ambasadorja nxori nga sirtarët raportet e DASH dhe të gjithë ndërkombëtarëve, të cilët çdo vit e klasifikojnë qeverinë Rama si të super korruptuar dhe të lidhur me krimin e organizuar.

Ajo paralajmëroj se nëse ai vazhdon përpara me planin e një pastrimi masiv parash nëpërmjet të ashtuquajturës “Amnisti Fiskale”, Shqipëria jo vetëm që humbet përgjithmonë BE-në, por edhe do të futet në një epokë të errët.

Kur u pyet se përse SPAK “po ha koka” më shumë nga e djathta se nga e majta, përgjigjja ishte domethënëse: Edhe për Saimir Tahirin e fuqishëm dhe të mbrojtur, nuk e besonit se do të përfundonte në burg. Durim, lëreni SPAK të punojë!

Më qartë për një gjuhë diplomatike, nuk kishte se ku të vinte. Edhe Rama për Perëndimin e ka prerë biletën njësoj si Berisha. Tani çështja duket se është opozita dhe çlirimi i saj nga pengmarrja që i ka bërë “shumëkëndëshi” i estabilishmentit 32- vjeçarë.

Qartësinë e këtij mesazhi të ambasadores Kim e bëri më kristal, këshilltari në hije i kryeministrit, Baton Haxhiu. Menjëherë pas intervistës, ai morri fjalën pa radhë në panelin e Fevzit dhe shpërtheu kundër Kim.

Po ti hiqje figurën, do kujtoje se ishte Berisha ai që turfullonte. Nëse ky i fundit ka shkuar deri te etiketimi “Na bën si guvernatore në një vend Sovran”, Batoni shkoj edhe më tej, duke deklaruar me zemërim: Çfarë është kjo që na flet sikur është kryeministrja e një vendi sovran?!

Ja pra më në fund ku takohen dhe ndahen pikat: Perëndimi përball aliazhit Rama, Berisha, (Metaj tani për tani është në provë a pritje) dhe gjithë klasës hibride të tranzicionit shqiptarë!/Alfapress.al

 




 

 

 

Po ndodh...