Përse SPAK nuk po thërret PS- PD- LS, por organizatat brenda tyre?!

28 Shtator 2022, 15:35 / EDITORIAL NGA POLI HOXHA

Përse SPAK nuk po thërret PS- PD- LS, por organizatat brenda tyre?!

Opozita është ajo që është. Një parti Demokratike e cila po mbahet peng nga statusi “Non Grata” i Sali Berishës dhe një Parti Lirie e cila përveç aleancës me Rithemelimin, nuk po tregon dot as fuqinë e as frymëzimin e kohës kur u kijua si LSI në vitin 2004.

Nga ana tjetër kemi edhe polin tjetër në pushtet, që me letra është Partia Socialiste. Themi me letra sepse në fakt, kemi të bëjmë vetëm me një organizatë të cilën Edi Rama e ka pagëzuar “Rilindja”.

Në këto gati 10 vite që shqiptarët dhe socialistët kanë pasur iluzionin se qeverisen nga PS, në fakt kemi pasur që të bëjmë me një estabilishment politiko- ekonomik- kriminal, të përzier edhe me elementë të opozitës.

Flamuri i Partisë Socialiste është thjeshtë një leckë të cilin Edi Rama e nxjerr nga bodrumet e selisë së partisë së tij, vetëm në prag zgjedhjesh. Pasi i fiton ato, ai e zhduk atë dhe rinxjerr simbolet e organizatës “Rilindja”, për të vazhduar “punët” me grupin e vogël politiko- oligark. Kjo është periudha, jo vetëm kur vazhdohen grabitjet gjatë mandatit të radhës, por edhe për të kopsitur statukuonë për dekadat e ardhshme.

Opozita është entuziazmuar nga fitorja e të djathtës Meloni në Itali, por ajo frymëzoi dhe mori vota sepse doli hapur kundër estabilishmentit. Këta nuk guxojnë ta bëjnë.

Në një debat të fundit televiziv, vetë personalisht, i kërkova deputetin të Partisë Demokratike të Rithemelimit, Luan Baçi, që të thoshte 2- 3 emra oligarkësh të cilët janë kolona dhe përfitues të mëdhenj të organizatës “Rilindja” në pushtet. Përgjigjja ishte: Po më provokon!

Sali Berisha nga mëngjesi në darkë e bën “copë copë” Edi Ramën, por nuk ja përmend emrin Shefqet Kastratit, Saimir Manes ca kokrave të tjera të cilët janë shndërruar në Elefantë financiarë dhe latifondist të mëdhenj, nën kujdesin e drejtpërdrejtë të Edi Ramës. Jo se ishin keq, edhe përpara rotacionit të vitit 2013...

Nëse në këtë vend do të bëhen një ditë zgjedhje të pa kapura nga ky estabilishmenti 32 vjeçar, atëherë kundër Rilindjes do të shihnit një lum votash, pikërisht nga ata që votojnë majtas dhe PS-në.

Shikoni çfarë ndodh: Edi Rama e zhveshi nga funksionet partiake Arben Ahemtajt duke na lënë për të kuptuar se llogaridhënia e tij në SPAK është çështje kohe. Nëntë vite bankomat i estabilishmentit. Njësoj bëri edhe me “kapitenin e Rilindjes’ Saimir Tahirin, i cili sot luan tavëll në burg.

Këta dhe një radhë e gjatë ministrash dhe ish-ministra apo kryebashkiakësh që janë nisur drejt SPAK, u bënë ata që u bënë, me votat e socialistëve. Këtyre të fundit jua solli dhe ngriti në majën e pushtetit, Edi Rama, i cili u dha  “karta biankën” dhe mundësinë që të zhdukin qindra milion euro të taksapaguesve shqiptarëve, me gjithë të majtë e të djathtë brenda.  

Edi Rama grabit nëpërmjet “Rilindjes”, kurse në burg futen ministrat dhe ish-ministrat e Partisë Socialiste. Edi Rama kur të bën ministër, nuk e pyet PS-në por kur futesh në burg si hajdut nuk je i Rilindjes, por një ish i PS-së.

Ai nuk denjon që ti pyesë socialistët jo vetëm për emrat e ministrave, por as për drejtuesit e tyre politikë. Kur i përfundojnë në SPAK dhe ndjen se laku po i mblidhet rreth vetvetes, ai i flak por nuk mban asnjë përgjegjësi të paktën  brenda PS-së së njollosur.

Pra paratë i bën Rilindja, njollën e korrupsionit e mban PS-ja. Votat për të mbajtur në këmbë Rilindjen i mbledh partia nëpërmjet socialistëve të ndershëm dhe të varfër, kurse miliardat e vjedhura i gëzon vetëm estabilishment 32- vjeçarë. E njëjta situatë është, edhe brenda opozitës Metaj- Berisha.

Të tre kokat e estabilishmentt politik-  ekonomik të Shqipërisë më në fund kanë punë me drejtësinë dhe më keq, do ti kenë në vazhdim.

Hall i madh për kryetarët e tre forcave, të cilat bëjnë ligjin në politikën shqiptare. Por le të dalë një socialist, demokrat apo ish- lësëist i thjeshtë, sado i tërbuar dhe i betuar të jetë për Edi Ramën, Sali Berishën dhe Ilir Metajn dhe të shkojë në vend të tyre në SPAK.

Nuk ka për të ndodhur asnjëherë. Sepse përpara drejtësisë nuk po del PS-PD dhe LSI, por hajdutllëku dhe organizatat korruptive të instaluara brenda tyre!/Alfapress.al   

 

ide

receta Alfa

shërbime

  • POLICIA129
  • POLICIA RRUGORE126
  • URGJENCA112
  • ZJARRFIKESJA128