Për të Keqen e madhe dhe të Keqen e vogël!

Ajo që po ndodh aktualisht në Shqipëri të kujton dramat e Çehovit, ku të gjithë personazhet kanë mendimin e tyre dhe po të gjithë tundin kokën e tyre.
Skena absurde që po zhvillohet është kjo: Të gjithë politikanët e Tranzicionit në këtë vend janë të këqij, të korruptuar, të provuar disa herë, por populli duhet, (është i detyruar), që të zgjedhë mes tyre të keqen më të vogël!
Tani imagjinoni një të sëmurë me kancer i cili kur shkon të bëjë kimio-terapi i lutet mjekëve që të bombardojë me rreze vetëm qelizat më të mëdha malinje në trupin e tij e ti lërë ato më të voglat, se janë më pak të rrezikshme!
Nëse i sheh në mikroskop këto lloj qelizash kancerogjene, vë re se ato rriten duke u bashkuar me njëra tjetrën. Bëhen të mëdha, pastaj ndahen sërish në më të vogla, për tu bashkuar po sërish në akoma më të mëdha. Kjo është Qeliza Mëmë. Këtë proces e bëjnë duke sulmuar çdo organ, deri sa e pushtojnë dhe e vdesin përfundimisht trupin. Është postulat se ato qeliza të mëdha apo të vogla, shumë të këqija apo më pak të këqija, të ndara apo të bashkuara, nëse nuk pastrohen të gjitha pa përjashtim deri në rrënjë, vdesin vetëm bashkë me atë që i ka. Por edhe goditja e tyre ka kohën e vetë dhe ajo është në limitet e fundit, pikërisht tani.
Aktualisht këtë skemë po ndjek Edi Rama nga njëra anë dhe Sali Berisha së bashku me Ilir Metajn, nga ana tjetër. I pari ju thotë shqiptarëve se nuk është i mirë, por duhet të zgjedhin atë pasi ata që ka përballë janë më të këqij. Pastaj drejton gishtin te e keqja më e madhe sipas tij, që janë Sali Berisha “nongrata” dhe “spiuni” Ilir Metaj. Po ta vini re nuk i akuzon më për korrupsion, siç bënte në opozitë. Sepse korrupsioni është baza e ekzistencës së tyre dhe luftës që bëjnë për pushtet.
Të dytët shpallin të keqe më të madhe të parin dhe e akuzojnë për 1001 të zeza, të cilat faktikisht shumicat i ka. Nëse i dëgjon të tre përnjëherësh, përfundon te pavijoni me të “çmendur” i Çehovit, ku të gjithë pacientët kanë mendimin e tyre, të gjithë tundin kokën e tyre dhe të gjithë në thelb kanë të drejtë, edhe pse shqyejnë njëri- tjetrin.
Çështja është se këto qeliza që kanë pushtuar politikën shqiptare, (tashmë të vërtetuara gjatë këtyre 32 viteve se janë të llojit malinj), po na shfaqen në një nga fazat e ripërsëritura të ndarjes dhe të një lufte; Kush e ka radhën që të mbajë nën kontroll trupin që kanë uzurpuar, që në fillimet e demokracisë?!
Gjatë 32 viteve janë bashkuar për të ngrënë dhe për ta bërë malinje Kushtetutën si bëri Rama me Berishën në vitin 2008; për të ndarë pushtet e pasuri si Berisha me Metajn në vitin 2009; për të ndarë tepsinë Shqipëri si Rama- Metaj në vitin 2013; për të kapur ligje, presidentë, prokurorë të përgjithshëm, gjykata të larta e kushtetuese, koncesione, toka pafund, oligarkë, e çfarë tu dojë qejfi.
Herë bashkohen e herë ndahen por gjithmonë duke sulmuar çdo pjesë të shëndetshme të trupit, deri sa e pushtojnë dhe e tresin me metastazat e tyre. Kur bashkohen, mjerë Shqipëria e mjerë demokracia. Kur ndahen po sërish, mjerë shqiptarët dhe mjerë e ardhmja e fëmijëve të tyre!
Del sot superqeliza Rama e fryrë sa një përbindësh pikërisht nga këto qelizat më pak të këqia dhe na thotë; më lini të vazhdojë që të mbretërojë në trupin tuaj, sepse tani u mësuat me mua. Del qeliza e zvogëluar gjatë këtyre viteve opozitë, Berisha- Metaj, e kërkon që të na mbushë mendjen; Më bëni prapë mua të madhe si dikur, se sot jam “më pak e keqe”!
Sido që të shkojë kjo punë, ato janë bashkë sepse janë e njëjta gjë; kancer malinj pavarësisht nga ngjyrat që marrin. Nuk kanë asnjë shans tjetër mbijetese veçse bashkëpunimit dhe duke ngrënë ato qeliza të shëndetshme, që kanë mbetur nga trupi i këtij vendi.
E ndërtova këtë shkrim në formën e një metafore për një hall sipëror të shëndetit që mund ta ketë përjetuar kushdo te vetja, familja apo te miqtë, për ta kuptuar më thjeshtë se nuk ka kancer malinj të keq dhe më pak të keq.
E lejuam që të rritet gjatë këtyre 32 viteve, por ka ardhur koha që ta heqim qafe nga trupi i Shqipërisë tani sa nuk është vonë. Mos i ushqeni më me vota partiake militantësh apo edhe të shitura, sepse do të na trashëgohen te fëmijët tanë!
Qelizat kanceroze shfaqen “të bukura” hera- herës, por në thelbin e ekzistencës së tyre kanë vetëm një mision: Të zmadhohen duke ngrënë pa mëshirë trupin ku kanë gjetur strehë. Kjo vlen për Partinë Socialiste, atë Demokratike dhe për gjithë Shqipërinë.
Bombardimi i tyre nga pjesa e shëndoshë e shqiptarëve, Perëndimi dhe Drejtësia e re, sapo ka nisur. Shqipëria është në kapsulë dhe po bombardohet me rreze anti- kancer dhe këtë nuk e ndryshon dot askush.
Nuk ka të keqe më të madhe dhe më të vogël. Kanceri malinj, kancer mbetet. Siç ka qenë i tillë për gjatë këtyre 32 viteve. Ai ka edhe emra të përveçëm. Ka pamje e fytyra që na dalin 24 orë në TV, portale, FB, Instagram e Tik Tok.
Por mbi të gjitha ka lënë një gjurmë gjigante të zezë që e shohin të gjithë majtas, djathtas, gri, të kuq, blu e pa ngjyrë: Këtë Shqipëri që lëngon dhe përzë fëmijët e vetë!/Alfapress.al
-
-
SHBA përcaktoi përfundimisht palët në luftë këtu në Shqipëri!
26 Tetor, 14:30 -
Po ndodh...
Amerika mund të tërhiqet nga Europa, por jo nga SPAK
ide
Kush është Lepuri i Surrelit?
Dy rrugët e gabuara të opozitës me Avokatin e Popullit
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128



