Ta gëzojmë festën e ASH, me në krye Gjinushin “non grata” dhe “ramizist i demokracisë”

10 Tetor 2022, 13:15 / EDITORIAL NGA POLI HOXHA

Ta gëzojmë festën e ASH, me në krye Gjinushin “non

Edi Rama doli këtë të hënë dhe mbajti një fjalim plot superlativa, me rastin e 50 vjetorit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Fjalët e mëdha të kryeministrit, shoqëroheshin me kapardisjen dhe fryrjen e kryetarit të këtij institucioni, Skënder Gjinushi.

Vërtet një ish- pedagog dhe “profesor” në shkencat e matematikës në vitet e fundit të diktaturës, por edhe një ish ministër i Ramiz Alisë, ish komunist dhe më pas i konvertuar, (pasi tentoj të manipulojë edhe studentët e Dhjetorit), në kohët e demokracisë si në një social- demokrat, duke marrë poste të larta deri kryetar Kuvendi si një nga “ramizistët e demokracisë” të cilët ende bëjnë ligjin në Shqipëri.

I futur si “pykë” vendimmarrëse me partinë e tij e cila themeloj kryetarokracinë në pluralizmin e brishtë shqiptarë, Gjinushi, na u shfaq në qeveri me Sali Berishën dhe pastaj me socialistët, deri sa këta të fundit me në krye Edi Ramën e detyruan që “të shesë” partinë te klienti dhe miku i kryeministrit, Tom Doshi.

Sot Skënder Gjinushi si një tregtar i spikatur i tranzicionit shqiptarë ka dalë në pension në krye të një institucioni, i cili në vend që të ishte kolonë e shtetit shqiptarë, vegjeton. Akademia e Shkencave deri më tani ka shërbyer  vetëm si thithëse fondesh të buxhetit që i shpërndan për “shkencëtarët e partisë” dhe njëkohësisht si bojatisëse e dështimeve të qeverisë, siç bëri me studimet e famshme për Pandeminë.

Në sallë e Kuvendit Rama e qerasi me një përshëndetje plot superlativa me rastin e 50-vjetorit, por aty mungonin shumica e ambasadorët të vendeve perëndimore. Kjo nuk e pengoj kryeministrin të deklaronte se te Akademia e Shkencave nën hyqmin e Gjinushit kishte marrë fund kasapana e dijes dhe ndërhyrja në shkencën shqiptare, e vulgut të politikës.

Në fakt është krejt e kundërta.  Ne kemi një Akademi Shkencash që drejtohet pikërisht nga një “pelivan politik”, i cili ka 35 vite që nuk e di nga bie shkenca.

Ne kemi gjithashtu një Akademi që injorohet hapur nga Perëndimi dhe veçanërisht nga SHBA, sepse në krye të saj është jo vetëm një ish ministër Arsimi i komunizmi, por edhe një pazarxhi që shet partinë te njerëz “non grata” për SHBA-në.

Vetë Gjinushi, Rama dhe kalamajtë e lagjeve ku jetojnë, e dinë se kryetari ynë  i Akademisë së Shkencave është i padëshiruar në ambasadën amerikane. Jo thjesht se është një mbetje e estabilishmentit të Partisë së Punës në kohën që ai reagonte me egërsi kundër filizave të demokracisë, por edhe si pjesë e qenësishme e klasës së vjetër politike të demokracisë, e cila është kapur me thonj, duke tërhequr prapa destinacionin perëndimorë të Shqipërisë.

Skënder Gjinushi në marrëveshje me Edi Ramën i “shiti” Partinë Social- Demokrate Tom Doshit, tashmë non grata, njësoj si Vangjush Dako, Sali Berisha e të tjerë që nuk janë bërë ende publik, e janë në radhë. Dhe shpërblimi erdhi shumë shpejt; Ta gëzosh Keno Akademinë e Shkencave!

Askush nuk e vuri re dhe as u shqetësua pse së fundmi me rastin e 100 vjetorit të marrëdhënieve Shqipëri- SHBA, Akademia e Shkencave e cila duhej të ishte organizatorja kryesore e aktiviteteve u shmang dhe u injorua. Sepse ka në krye një kryetar të padëshiruar për SHBA, për arsyet që thamë më lart dhe plotë të tjera.

Nuk është aq e thjeshtë kapja që “Shumëkëndëshi i Tranzicionit” i ka bërë Shqipërisë. Hapni sytë se nuk e keni vetëm te Rama, Berisha, Metaj por në çdo emër oligarku, banke “Made in Albania”, partie të vogël të vjetër dhe madje, edhe te “Shkenca” e tyre!/Alfapress.al

 

Po ndodh...

ide