
Depozitat në lekë kërcejnë në janar për të dytin muaj radhazi, efekti nga korporatat

Depozitat në lekë kanë shënuar një rritje të fortë në janar, sipas statistikave të publikuara nga banka e Shqipërisë. Në fund të muajit të parë të vitit, stoku i depozitave në monedhën vendase arriti në 651 miliardë lekë. Në krahasim me dhjetorin kursimet në lekë u rritën me 3.52%, ose 22.1 miliardë lekë më shumë. Ky është muaji i dytë radhazi kur depozitat zgjerohen me shpejtësi, pas dhjetorit 2024, kur kursimet në monedhën vendase u shtuan me gati 24 miliardë lekë.
Në janar, ndikimin kryesor në këtë ecuri e kanë shënuar depozitat e Korporatave të tjera jofinanciare, të cilat u rritën me 16 miliardë lekë, me bazë mujore, ose 17%, duke arritur në 112 miliardë lekë. Rritje kanë shënuar dhe kursimet e individëve në lekë, por me ritme më të ngadalta, duke u zjgeruar me 3.6 miliardë lekë në janar.
Me bazë vjetore (janar 2025/janar 2024), kursimet në lekë janë rritur me 10%, ose rreth 58 miliardë lekë. Kursimet në euro nga ana tjetër kanë vijuar rritje në ritme të ngadalta, ndryshe nga një vit më parë, kur po zgjeroheshin me ritme të shpejta.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, stoku i kursimeve në euro ishte 8.08 miliardë lekë në janar, ose 35 milionë euro më shumë, me rritje 0.44% me bazë mujore. Rritja ka ardhur pothuajse tërësisht nga individët. Me bazë vjetore (janar 2025/janar 2024), kursimet në euro janë rritur me 9.3%, ose 683 milionë euro më shumë. Në krahasim me vitet e mëparshme, ritmet rritjes së depozitave në euro po ngadalësohen, ndërsa ato në monedhën vendase po përshpejtohen dukshëm./Monitor

ide

Nëse Amerika mbyll SPAK-un, kush përfiton më shumë, PS apo PD?

A mund të përmirësohet SPAK nga klasa jonë politike?

Inteligjenca Artificiale - Një Univers Dystopik
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128