Forcimi i lekut, Sejko: BSH tërhoqi nga tregu një miliard euro gjatë vitit 2024

6 Shkurt 2025, 11:36 / EKONOMI&SOCIALE ALFA PRESS

Forcimi i lekut, Sejko: BSH tërhoqi nga tregu një miliard euro

Gjatë vitit 2024, Banka e Shqipërisë ka tërhequr nga tregu rreth një miliard euro për efekt të rezervës valutore, por gjithashtu edhe për të stabilizuar kursin e këmbimit në treg.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko u shpreh për mediet se “kjo ndërhyrje është bërë kryesisht dhe vetëm në objektiv të normës së inflacionit, stabilitetit të çmimeve”.

“Banka e Shqipërisë nuk ka objektiv ruajtjen e kursit të këmbimit ose ndikimin e kursit të këmbimit për grupe të caktuara interesi. Nëse do të ishte ndryshe, një grup interesi supozojmë eksportuesit do të përfitonin, por do të humbisnin importuesit dhe anasjelltas. Pra të gjitha ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë të kryera gjatë vitit 2024 janë bërë me objektivin kryesor të ruajtjes së stabilitetit të çmimeve dhe për shmangien e spekulimeve ne treg si pasojë e efekteve të kursit të këmbimit”, tha ai.

Sejko bëri të ditur se, “së fundi u vu re që pati një forcim të lehtë të kursit të këmbimit. Luhatje të tilla në kursin e këmbimit janë të natyrshme. Banka e Shqipërisë ka një regjim fleksibël të kursit të këmbimit, pra që kursi mbiçmohet ose nënçmohet sipas ofertës dhe kërkesës në treg. Ditët e fundit këtu mund të ketë ndikuar edhe rritja e nivelit të shpenzimeve të qeverisë shqiptare në tregun valutor por kryesisht ka patur një korrektim. Por sjellja e kursit të këmbimit është si pasojë e ofertës dhe kërkesës”.

“Pa bërë analizë të mëtejshme në kursin e këmbimit unë do të thoja që Banka e Shqipërisë ndërhyn në tregun valutor me kritere të përcaktua qartë në bazë të kërkesave ligjore dhe rregullatore që ajo ka”, u shpreh Guvernatori, teksa vuri në dukje se, “çdo blerje që ne bëjmë shkon për efekt të rritjes të nivelit të rezervës valutore të Bankës së Shqipërisë”.

“Kursi i këmbimit është i paparashikueshëm. Banka e Shqipërisë do të vazhdojë të monitorojë me kujdes tregun në raport me zhvillimet në kursin e këmbimit, dhe ne do të operojmë siç kemi operuar gjithmonë në përputhje me kërkesat tona ligjore dhe rregullatore”, deklaroi Sejko.