A duhet “bombarduar” nga demokratët Vila e Diktatorit në Ish-Bllok dhe përse Berisha, gëzon “fitoren” e marrjes së adresës së FB ndaj Bashës?
Që në moshë shumë të vogël, teksa kaloja pranë vilës së diktatorit Hoxha në Bllok, e përshkoja sa më shpejt… me frikë madje, sepse e shihja si shtëpinë e Djallit. Dhe nuk e kam aspak në mënyrë figurative, por literalisht mendoja, i trembur, sa shpirtra të këqij endeshin brenda saj, si një portal mes botës sonë dhe ferrit.
Më pas, duke u rritur, kjo frikë ende nuk është zhdukur plotësisht, por ka marrë një formë tjetër, atë reflektive:
Sot, sa herë kaloj, mendoj sa shumë “gjak” ka në muret e asaj godine, gjak të pafajshmish. Mendoj sa urdhra dhe vendime janë lëshuar për të vrarë, torturuar e shkatërruar me qindra mijëra jetë njerëzish.
Si kushdo që beson në Zot, ashtu si në institucionet fetare ku besimtarët shkojnë për t’u lutur, ku nga goja nxjerrin lutje, kërkesë faljeje, dashuri dhe bekime, unë besoj fort se çlirohet një energji e madhe mirësie që e bën Kishën apo Xhaminë shtëpinë e shenjtë të Zotit, ku besimtarët, sa herë dalin prej tyre, ndihen të lehtësuar përbrenda.
Dhe, analogjikisht, në një shtëpi ku nga fjalët që kanë dalë nga goja kanë rezultuar gjak, lot e vdekje për mijëra të pafajshëm… besoj se aty ka një energji tepër të frikshme, të errët.
Pra, siç ka Zot dhe dritë, ka edhe errësirë dhe ligësi.
Të shtunën, në protestën e Opozitës, u hodhën disa fishekzjarre te kjo vilë e të ligës dhe debati publik mori një amplitudë të madhe për këtë akt.
Socialistët e akuzonin Berishën si njeri të dhunës, dhe vila, sipas tyre, është një qendër arti, ashtu siç e ka financuar dhe administruar shpesh qeveria franceze dhe ajo shqiptare.
Berisha, nga ana tjetër, bëri deklarata të çekuilibruara mes hipokrizisë dhe qesharakes.
Në fillim tha se duhej goditur vila e babait shpirtëror të Ramës dhe PS-së, më pas harroi çfarë tha, por u justifikua se kishte informacion se aty po darkonte Rama… informacion i gabuar.
Dhe në kontekstin gjeopolitik ku jemi, ku regjimi i Ajatollahëve në Iran po bombardohet nga SHBA-ja, më lindi pyetja:
“Mos vallë duhet bombarduar edhe në Tiranë vila e Hoxhës, siç po thonë disa protestues?”
Përgjigjja ime ishte e shpejtë dhe plot bindje:
Po, në Tiranë duhet “bombarduar” Vila e Diktatorit Hoxha!
Duhet bombarduar simboli i tij, rezonimi i pushtetit komunist që ende ajo godinë përçon në mendjen e çdo të riu që kalon në ish-Bllok dhe, naivisht, thotë: “Ua, çfarë vile! Në çfarë vendi të bukur ka pasur diktatori! Sa i fuqishëm ka qenë, sa mirë ka jetuar!”
Ky naivitet duhet zhdukur, sepse krijon një farë admirimi për demonin Hoxha. Sepse rreziku sot nuk është godina si beton. Rreziku është naiviteti që thotë: “Sa bukur ka jetuar diktatori.”
Ky admirim i paditur është dështimi ynë kulturor.
Një shoqëri që nuk e shpjegon simbolin, e romantizon atë
Por, mbi të gjitha, duhet “bombarduar” sepse ne, si shoqëri, duhet të vrasim çdo simbol ende të gjallë të komunizmit, që sot ende na kujton kultin e individit që mbizotëron politikën, lirinë, ekonominë dhe demokracinë.
Por…
Ky simbol, që fle ende te ato mure, duhet rrëzuar në fillim te njerëzit.
Sali Berisha ka shërbyer në atë vilë. Ka foto e video që faktojnë se ai ka pasur hyrje-dalje me fëmijët e Enver Hoxhës. Ka qenë mjeku që ka shërbyer në vilën përballë të Hysni Kapos në vitet 1970–1979… i privilegjuar, i përzgjedhur, i përkëdhelur nga liderët e asaj diktature të Djallit, e ngjashme me atë të Ajatollahëve sot.
Sali Berisha ka qenë 13 vjet në krye të shtetit dhe nuk e ka shkatërruar atë vilë, atë shtëpi të demonit Hoxha. Përkundrazi, ka drekuar dhe darkuar brenda saj me delegacione të ndryshme.
Ashtu siç nuk ka bërë ligjin e lustracionit kur ka pasur mundësi, për ta pastruar jetën publike politike në Shqipëri nga hijet e demonit komunist. Sali Berisha nuk e ka bërë këtë.
Ashtu siç nuk ka mirëmbajtur dhe restauruar burgun e Spaçit, Qafë-Barit, Tepelenës etj., si provë e gjallë e torturave hoxhiste.
Ky është Berisha: në pushtet restauroi vilën e Enver Hoxhës dhe harroi në rrënim burgjet e torturave hoxhiste, dhe sot në opozitë “bombardon” me fishekzjarre, si anti-komunist, vilën.
Por së fundmi Berisha ka bërë edhe një “sulm” tjetër: ka rimarrë FB-në e PDSH-së që menaxhohej dikur nga punëtorë të emëruar nga ish-kryetari Lulzim Basha.
Këtë “fitore” po e reklamon si festë të madhe, pasi e mposhti përfundimisht Bashën.
Edhe këtu është përsëri i çekuilibruar, mes iluzionit të gënjeshtërt dhe verbërisë.
Berisha mban shpresë iluzive se Lulzim Basha, do të tërhiqet nga gjyqi i vulës për PD në Gjykatën e Lartë. Ashtu siç verbërisht mendon se L. Basha është armiku i tij i fundit për “tapinë” e PD-së.
Lulzim Basha sot është larguar nga jeta publike, por jo nga gjyqi për vulën e PD-së. E di pse, Doktor i Bllokut?
Për të njëjtën arsye që demokratët që përkrahën Bashën pas 2021, ose u distancuan nga të gjithë ju (kryesisht ty), sot përsëri nuk të janë bashkuar.
Sepse Basha ka detyrim moral për t’u qëndruar këtyre njerëzve, që kanë shpresuar se vila e demonit Hoxha do të bombardohej dikur nga ty, Doktor, dhe sot, pa vulë, pa parti, pa Lulzim Bashën, janë edhe më të vendosur për të luftuar kundër teje.
Sepse hijet e Enver Hoxhës, siç je ti, Doktor Berisha, dhe djali i Kristaq Ramës, duhen larguar përfundimisht nga politika në 2026. Jeni një kapitull i errët i historisë shqiptare, ku komunizmi dhe elitat e përkrahura prej tij, të cilat tejzgjatën një tranzicion plot korrupsion dhe padrejtësi, duhen larguar.
Kështu që, Doktor, (i Bllokut), luftën nuk e ke me L. Bashën, as me FB-në e zotëruar prej tij, por me ne që vazhdojmë të qëndrojmë para teje dhe Edi Ramës, me FB-në tonë, me vullnetin tonë të hekurt për të hequr duar e tua nga partia Demokratike.
Po ndodh...
Gjermania, “mallkimi” i Ramës dhe Berishës
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128