Koçiu: 24 orë shërbim shëndetësor në zonat turistike nga jugu në veri

4 Qershor 2025, 15:41 / EKONOMI&SOCIALE ALFA PRESS

Koçiu: 24 orë shërbim shëndetësor në zonat

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu bëri me dije sot se nga veriu në jug të vendit janë hapur 36 qendra shëndetësore verore.

Për një sezon turistik të sigurt dhe të shëndetshëm, ministrja Koçiu tha se pesë qendra shëndetësore verore janë pozicionuar në zonat malore të vendit, 28 në bregdet dhe tre qendra të reja në zonat turistike me interes të lartë fetar dhe kulturor, si kisha e Shna Ndout, kalaja e Gjirokastrës dhe kalaja e Beratit.

Sipas ministres Koçiu, 227 punonjës shëndetësorë janë angazhuar në qendrat shëndetësore verore, krahas 20 vendqëndrimeve të autoambulancave në shërbim 24/7 për të gjithë pushuesit dhe komunitetet lokale.

“Pas një procesi rekrutimi të gjatë, u seleksionuan me sukses 295 profesionistë që do të ofrojnë shërbim të pandërprerë në 36 qendrat shëndetësore. Kemi gati “300 spartanë”, mes tyre 93 mjekë, 129 infermierë, 49 shoferë ambulance dhe 24 sanitarë, që vendosen në vijën e parë të frontit, në zonat më të frekuentuara të vendit”, u shpreh ministrja Koçiu.

MSHMS edhe këtë vit ka marrë masa për të garantuar një sezon turistik të sigurt dhe të shëndetshëm për pushuesit dhe turistët e huaj të cilët do të zgjedhin për të kaluar pushimet në vendin tonë.

I gjithë sistemi shëndetësor nga Thethi në Ksamil do të jetë në gatishmëri përgjatë gjithë sezonit veror për të garantuar ofrimin e shërbimeve në kohë dhe sa më pranë turistëve.

 

Po ndodh...