Financial Times: SHBA bllokon dërgimin e 60 raketave Patriot për Ukrainën, Hegseth ende nuk ka dhënë miratimin

24 November 2026, 09:15 / BOTA ALFA PRESS

Financial Times: SHBA bllokon dërgimin e 60 raketave Patriot për

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, nuk ka miratuar ende transferimin e 60 raketave interceptuese për sistemet e mbrojtjes ajrore Patriot drejt Ukrainës. Lajmi raportohet nga “Financial Times”, duke iu referuar tre burimeve të njohura me çështjen, ndërsa raketat përfshijnë edhe municione nga arsenalet e vendeve evropiane.

Ukraina ka kërkuar vazhdimisht furnizime shtesë me raketa interceptuese, për shkak të intensifikimit të sulmeve ruse me raketa dhe dronë. Bëhet fjalë për raketat PAC-3 dhe PAC-2, të prodhuara në SHBA, blerja e të cilave financohet nga aleatët perëndimorë të Kievit.

Sipas gazetës, transferimi i raketave PAC-3 ishte planifikuar të realizohej gjatë periudhës shtator-dhjetor, por procesi nuk ka marrë ende miratimin amerikan. Edhe dërgimi i rreth 20 raketave PAC-2, të cilat i përkasin një teknologjie më të vjetër, kërkon autorizimin përkatës të Pentagonit.

Në pritje të miratimit është edhe një tjetër projekt që synon t’i mundësojë Ukrainës prodhimin e raketave interceptuese për sistemet Patriot. Edhe kjo përpjekje raportohet se është bllokuar në Pentagon.

 

Një zëdhënës i Departamentit amerikan të Mbrojtjes i tha “Financial Times” se nuk ka pasur ndryshim në politikën e Uashingtonit për mbështetjen ndaj Ukrainës, por refuzoi të komentojë konkretisht për transferimin e raketave Patriot.

Ndërkohë, një zyrtar i Pentagonit deklaroi se po zhvillohen disa përpjekje paralele për të përshpejtuar bashkëprodhimin e këtyre raketave me partnerët evropianë dhe Ukrainën, duke shtuar se puna për këtë çështje vijon.

Muajin e kaluar, Uashingtoni miratoi shitjen e 500 raketave PAC-3 për sistemet Patriot të Ukrainës, me një vlerë prej 2.1 miliardë dollarësh. Megjithatë, dërgesat e këtij armatimi nuk pritet të nisin përpara fillimit të viteve 2030.

“Reuters” raportoi se nuk kishte mundur të verifikonte në mënyrë të pavarur informacionin e publikuar nga gazeta britanike.

 

Po ndodh...