Dashamir Shehi: Protesta bëri atë që opozita s’e bëri për 12 vite

23 November 2026, 21:45 / POLITIKË ALFA PRESS
Dashamir Shehi: Protesta bëri atë që opozita s’e bëri

Dashamir Shehi, kryetar i LZHK-së, nxori në pah aspektet pozitive të protestës, që, sipas tij, ka bërë atë që opozita nuk e ka bërë për 12 vite.

“Protesta është lakmuesi që tregon që një shoqëri është në krizë dhe kriza është e natyrës politike. Çfarë ka bërë protesta? Ka thyer frikën, e para e punës. E dyta, e ka mediatizuar. E treta, e ka ndërkombëtarizuar, se nuk dinte gjë njeri se ç'bëhej në këtë fshatin e vogël ballkanik. Ja ku e morëm vesh që këtu punët nuk shkokan mirë. E katërta, ka rikthyer politikën. Për herë të parë, opozita mendon se si do të koordinojë me këto forcat e reja. Për herë të parë, qeveria mendon që për ta shuar sheshin duhet të përdorë edhe shkopin, edhe karrotën. Shkopi është policia që del atje. Ato vendime që janë marrë për gjoba. Karrota është kjo që për herë të parë bëhet një buxhet i cili pretendon të heqi TVSH-në për ushqimet, të bëjë favore për shtresat e varfra. Pra, protesta e paska bërë një gjysmë revolucioni. Se ata pretendojnë revolucion, por unë i them që, edhe pa e ditur ndoshta vetë, e kanë bërë një gjysmë revolucioni. Kanë ndryshuar shumë gjëra që nga ai qershori deri më sot”, tha Shehi në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN.

“Protesta paska bërë atë që nuk e bën dot një opozitë normale për 10-12 vjet, e ka përshpejtuar këtë proces. Protesta tregoi që paska pasur një rol që kishim vite që nuk e ndjenim në Shqipëri. Opozita mund të ketë vendin e vet, por ky ka qenë një proces përshpejtues sepse shoqëria shqiptare mbërriti në këtë lloj maturiteti. Një pjesë e rinisë e ka kuptuar që nëqoftëse nuk dalin për të protestuar për të drejtat e veta, demokracia në këtë vend nuk është një e dhënë një herë e përgjithmonë, se ky brezi i ri e ka gjetur me demokraci vendin, por duhet mbrojtur përditë, do mbrojtur me vite, do mbrojtur kundër autoritarizmit”, shtoi kreu i LZHK-së. (A2 Televizion)

Po ndodh...