Kongresi i Jashtëzakonshëm i FIFA-s cakton vendet organizatore të Botërorit të Vajzave 2031 dhe 2035

23 November 2026, 20:44 / SPORT ALFA PRESS
Kongresi i Jashtëzakonshëm i FIFA-s cakton vendet organizatore të

Federatat anëtare të FIFA-s u mblodhën sot online në kuadër të Kongresit të Jashtëzakonshëm, ku u përcaktuan vendet organizatore të dy edicioneve të ardhshme të Kupës së Botës për Vajza. Në këtë mbledhje mori pjesë edhe Presidenti i FSHF, Armand Duka, përmes videokonferencës.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Meksika, Kosta Rika dhe Xhamajka do të organizojnë së bashku Botërorin e Vajzave 2031, i cili do të jetë edicioni i parë me 48 kombëtare pjesëmarrëse dhe do të zhvillohet në katër vende. Ndërkohë, Anglia, Irlanda e Veriut, Skocia dhe Uellsi u konfirmuan si organizatorët e edicionit të vitit 2035.

Vendet organizatore për të dyja edicionet u miratuan me aklamacion, pas proceseve të hollësishme të kandidimit, të nisura nga Këshilli i FIFA-s në mars 2025. Ky vendim u mor pothuajse 35 vjet pas ndeshjes hapëse të edicionit të parë të Kupës së Botës për Femra, në vitin 1991, ku morën pjesë 12 skuadra.

Përpara shpalljes së vendeve organizatore, Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, theksoi rëndësinë e këtyre vendimeve për zhvillimin dhe globalizimin e futbollit të femrave.

 

“Objektivi ynë është, natyrisht, ta bëjmë futbollin e femrave vërtet global dhe të ndërtojmë të ardhmen së bashku me të gjitha shoqatat anëtare dhe të gjithë aktorët e përfshirë. Sot vendosim për vendet organizatore të Kupës së Botës për Femra 2031 dhe 2035. Ky është një moment krenarie për ju, për ne dhe për të gjithë ne së bashku”, u shpreh Infantino.

Kreu i FIFA-s nënvizoi se rëndësia e këtyre dy edicioneve duhet të shkojë përtej fushës së lojës, duke krijuar më shumë mundësi për gratë në të gjitha nivelet e futbollit.

“Duhet të kemi më shumë futbolliste, më shumë vajza të frymëzuara, më shumë trajnere, arbitre, administratore dhe drejtuese gra. Prioritetet tona për futbollin e femrave janë shumë të qarta: duhet ta zgjerojmë lojën në nivel global, të ngushtojmë hendekët që ende ekzistojnë dhe të ndërtojmë së bashku të ardhmen”, theksoi Presidenti Infantino.

Në fjalën përmbyllëse, ai rikujtoi se futbolli u përket të gjithëve dhe se zhvillimi i tij kërkon mundësi, investime dhe infrastrukturë.

“Futbolli u përket të gjithëve, kudo në botë. Ne duhet të krijojmë mundësi, të nxisim zhvillimin dhe të ndërtojmë infrastrukturën e nevojshme. Na duhen gjithashtu burime për ta bërë këtë të mundur. Dhe së bashku do të kemi një ndikim të vërtetë”, – përfundoi Infantino.

 

Po ndodh...