Dështojnë bisedimet Eisenkot-Netanyahu/ Izrael, nuk ka marrëveshje për qeverinë e re

23 November 2026, 17:12 / BOTA ALFA PRESS
Dështojnë bisedimet Eisenkot-Netanyahu/ Izrael, nuk ka

Bisedimet mes partisë Likud të kryeministrit në detyrë, Benjamin Netanyahu, dhe partisë Yashar të liderit të opozitës, Gadi Eisenkot, për formimin e një qeverie të unitetit në Izrael kanë përfunduar pa marrëveshje.

Përfaqësuesit e dy partive u takuan të dielën në një hotel në Herzliya, por nuk arritën të gjenin një zgjidhje për disa nga çështjet kryesore, veçanërisht për atë se kush do të drejtojë qeverinë e ardhshme dhe nëse ministri i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, do të jetë pjesë e saj.

Sipas mediave izraelite, Likud kërkon që Ben-Gvir të përfshihet në qeveri, ndërsa partia Yashar e kundërshton kategorikisht praninë e tij në kabinet.

Pas takimit, të dyja partitë publikuan një deklaratë të përbashkët, ku njoftuan se kishin paraqitur qëndrimet e tyre për disa çështje të rëndësishme dhe se do të zhvillonin një tjetër takim. Megjithatë, nuk u bë e ditur se kur do të zhvillohet takimi i radhës.

Eisenkot ka afat deri më 6 dhjetor për të formuar qeverinë, me mundësinë e një zgjatjeje prej 14 ditësh. Në zgjedhjet e tetorit, blloku i tij siguroi 48 mandate, duke mbetur 13 vende larg shumicës parlamentare.

Netanyahu ka kërkuar krijimin e një qeverie të unitetit, duke argumentuar se kjo është mënyra e vetme për të garantuar sigurinë e Izraelit. Një marrëveshje e tillë do të mundësonte formimin e qeverisë pa përfshirjen e partive të përfaqësuesve palestinezë në Izrael, të cilat fituan gjithsej 19 mandate.

Ndërkohë, ish-kryeministri Naftali Bennett ka propozuar një koalicion mes partive Together, Yashar, Likud dhe Yisrael Beiteinu të Avigdor Liebermanit. Sipas propozimit të tij, Eisenkot do të merrte fillimisht postin e kryeministrit, ndërsa më pas do t’ia kalonte atë Netanyahut.

Por kjo ide duket larg realizimit. Eisenkot kundërshton ndarjen me rotacion të postit të kryeministrit, ndërsa Netanyahu kërkon të jetë ai që merr fillimisht drejtimin e qeverisë. Nga ana tjetër, Lieberman ka përjashtuar mundësinë e bashkëpunimit me çdo qeveri ku do të jetë pjesë Netanyahu.

Nëse negociatat për qeverinë e unitetit dështojnë, partia Yashar pritet të kërkojë në parlamentin izraelit, Knesset, mbështetjen për një qeveri të pakicës. Kjo qeveri do të mbështetej nga jashtë nga Lista e Përbashkët Arabe, e drejtuar nga Yousef Jabareen, dhe Lista e Bashkuar Arabe, e drejtuar nga Mansour Abbas.

Po ndodh...