Kursi i euros e nis javën në rënie, arrin rekord të ri historik në 100.26 lekë

24 Qershor 2024, 16:21 / EKONOMI&SOCIALE ALFA PRESS

Kursi i euros e nis javën në rënie, arrin rekord të ri

Kursi i këmbimit mes euros dhe lekut e ka nisur këtë javë me një tjetër rënie të lehtë.

Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, euro u këmbye të hënën me 100.26 lekë, që përfaqëson edhe nivelin më të ulët historik të kursit të këmbimit, ndërkohë që rekordi i mëparshëm kishte qenë vlera e 100.27 lekëve, më datë 11 qershor.

Gjatë fundjavës, megjithatë, kursi i këmbimit ka rënë në nivele edhe më të ulëta. Disa pika të këmbimit valutor, duke përfshirë subjektin më të madh, Iliria ’98, e kanë tregtuar euron me 99.6 lekë në blerje dhe 100.4 lekë në shitje. Në mesatare, ky kurs do të rezultonte në nivelin e 100 lekëve, duke regjistruar një rekord të ri faktik të kursit të këmbimit.

Megjithatë, duke qenë se Banka e Shqipërisë nuk e llogarit dhe publikon kursin e këmbimit gjatë fundjavës (kur banka qendrore dhe subjektet kryesore raportuese, bankat tregtare, janë pushim), zyrtarisht kursi më i ulët mesatar është i regjistruar ditën e sotme, prej 100.26 lekësh.

Këtë verë, ashtu siç parashikohej, kursi i euros po përballet me presione reja rënëse, për shkak të flukseve të larta valutore hyrëse të sezonit turistik. Kursi mesatar i këmbimit nuk ka rënë poshtë nivelit të 100 lekëve vetëm falë ndërhyrjeve të Bankës së Shqipërisë, që gjatë muajve maj dhe qershor ka kryer disa herë blerje të drejtpërdrejta të euros në tregun valutor.

Ndërhyrja e Bankës së Shqipërisë ka tërhequr një pjesë të valutës nga tregu, duke frenuar rënien e mëtejshme të monedhës europiane, por paralelisht ka dhënë edhe një efekt piskologjik, duke përcjellë mesazhin se banka qendrore nuk dëshiron të lejojë rënien e kursit poshtë kufirit të 100 lekëve.

Në kushtet e inflacionit të ulët, poshtë objektivit prej 3%, Banka e Shqipërisë mund ta justifikojë këtë ndërhyrje në funksion të objektivit të saj kryesor, të stabilitetit të çmimeve. Një forcim i mëtejshëm i lekut do të ulte edhe më shumë çmimin e produkteve të importuara dhe do të forconte më tej trysninë dizinflacioniste në ekonomi.

 

Po ndodh...