Çmimet e larta maskojnë vështirësitë e prodhuesve, eksportet në sasi pësuan rënie me 2.4% në 2-mujorin 2023

24 Mars 2023, 07:41 / EKONOMI&SOCIALE ALFA PRESS

Çmimet e larta maskojnë vështirësitë e prodhuesve,

Kursi i këmbimit, rritja e kostove dhe zhvillimet negative demografike po ndikojnë negativisht në konkurueshmërinë e ekonomisë shqiptare.

Pas efektit që po krijojnë çmimet e larta në vlerën e eksporteve shqiptare sasia e tyre po vjen në rënie.

Të dhënat e detajuara nga INSTAT tregojnë se në dy muajt e parë të vitit janar-shkurt 2023 eksportet në vlerë u rriten me 11.3% por në sasi ato pësuan rënie me 2.4%.

Në 2- mujor u eksportuan 565,607 tonë mallra nga 579,530 tonë në të njëjtin muaj të vitit 2022.

Rënia është krijuar nga eksportet e çimentos me rreth 7.8 për qind më pak se viti i kaluar, që bashkë me gëlqeren dhe kripërat janë grupi i dytë më i madh për nga volumet e eksportit.

Xeheroret, grupi i katërt më i madh i eksporteve për nga sasia shënuan rënie vjetore me 42%. Më tkurrje ishte edhe grupi i artikujve të drurit me rreth 36% dhe alumini me 12%.


Eksporti i bimëve medicinale gjithashtu është në vështirësi. Ky grup që pësoi rritje të ndjeshme gjatë pandemisë Covid-19 tani i është kthyer uljes, ku për janar-shkurt 2023 vërehet rënie me 25.5%.

Plehëruesit që vitin e kaluar që pësuan një rritje jo të zakontë nga rieskportet në Kosovë, në këtë fillim viti janë korrektuar me ulje për shkak të rritjes së kërkesës nga tregu vendas.

Në krahun tjetër rritje të konsiderueshme shënoi eksporti i grupit “Lëndët djegëse minerale” me 30 për qind në krahasim me janar-shkurt 2022. Ky grup dominohet nga eksportet e naftës vendase. Grupi i tretë me volumin më të madh të eksportit “Giza dhe çeliku” shënuan rritje me 22%.

Zarzavatet gjithashtu pësuan rritje në sasi të eksporteve me 10%, si rrjedhojë e një sezoni të mbarë dimëror ku prodhimi dhe eksportet e kastravecëve nuk u ndalen asnjë çast.

Edhe grupi i frutave ka pësuar rritje të ndjeshme të eksportit një trend që nisi qe në vitin 2022. Në 2-mujorin e parë eksportet në këtë grup u rriten me 24.5%.

Eksportuesit shqiptare kanë rritur ankesat rreth kostove të larta që po vijnë nga paga minimale, efektet negative të zhvlerësimit të euros dhe mungesën e fuqisë punëtore.

Të tre këto elementë po godasin sektorin e prodhimit, i cili e ka të bazuar aktivitetin në krahun e lirë të punës.

Bizneset në sektorin fason grupi kryesor i eksportit, lajmëruan vështirësi për shkak të rritjes më 33% të pagës minimale brenda vitit, teksa zhvlerësimi i euros po bjerr fitimet nga shitjet./Monitor