OBSH: Stili i jetesës po dëmton shëndetin e adoleshentëve në Evropë dhe Shqipëri

27 Shkurt 2025, 21:00 / EKONOMI&SOCIALE ALFA PRESS

OBSH: Stili i jetesës po dëmton shëndetin e adoleshentëve

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka ngritur alarmin mbi përkeqësimin e shëndetit të adoleshentëve në Evropë, përfshirë edhe Shqipërinë.

Sipas raportit më të fundit, të rinjtë po përballen me sfida të shumta, si problemet e shëndetit mendor, mbipesha, konsumimi i duhanit dhe rritja e rasteve të ngacmimit kibernetik.

Të dhënat tregojnë se 1 në 5 adoleshentë në Evropë ka probleme me shëndetin mendor, ndërsa vajzat raportojnë nivele më të ulëta të mirëqenies psikologjike krahasuar me djemtë.

Ekspertët paralajmërojnë se kjo tendencë është alarmante për shëndetin emocional të të rinjve.

Një tjetër shqetësim i madh është ngacmimi kibernetik. Sipas raportit, 15% e adoleshentëve deklarojnë se janë përballur me këtë fenomen, i cili ndikon negativisht në shëndetin e tyre psikologjik.

Ndërkohë, 1 në 10 adoleshentë të moshës 13-15 vjeç konsumon një formë të produktit të duhanit, përfshirë edhe cigaret elektronike, duke rritur rrezikun për probleme shëndetësore në të ardhmen.

Po ashtu, 1 në 3 fëmijë në moshë shkollore është mbipeshë dhe 1 në 8 jeton me obezitet. Ky fenomen lidhet kryesisht me mungesën e aktivitetit fizik dhe konsumin e lartë të ushqimeve të pasura me yndyrë, kripë dhe sheqer.

Ekspertët e OBSH-së theksojnë se ky raport duhet të shërbejë si një sinjal urgjent për qeveritë dhe shoqërinë, duke kërkuar masa konkrete për forcimin e programeve arsimore mbi shëndetin mendor dhe rritjen e aksesit në aktivitete sportive dhe rekreative.

 

Po ndodh...

ide