Përkeqësohet gjendja shëndetësore e Lucescut, ish-trajneri rumun i Interit përfundon në koma

5 Prill 2026, 15:49 / SPORT ALFA PRESS

Përkeqësohet gjendja shëndetësore e Lucescut, ish-trajneri

Është përkeqësuar gjatë natës gjendja shëndetësore e Mircea Lucescu.

Ish-trajneri i kombëtares së Rumanisë, 80 vjeç, ndodhet i shtruar në repartin e terapisë intensive në Spitalin Universitar të Bukureshtit, ku është vendosur në koma farmakologjike.

Dy ditë më parë, pak orë para se të largohej nga spitali pas një problemi shëndetësor të ndodhur të dielën gjatë një mbledhjeje teknike para stërvitjes, Lucescu u godit nga një infarkt. Për t’i shpëtuar jetën trajnerit, i cili në vitet ’90 ka drejtuar disa klube italiane si Inter dhe Brescia, janë kryer tre procedura reanimimi.

Sipas raportimeve, Lucescu ka pësuar edhe një atak të dytë kardiak, por është rikthyer sërish në jetë falë ndërhyrjes së mjekëve. Pavarësisht gjendjes, ai kishte zgjedhur të ishte në pankinë në gjysmëfinalen e “play-off”-it për Botërorin, e humbur ndaj Turqisë. Dështimi për t’u kualifikuar në Kupën e Botës i kishte kushtuar edhe shkarkimin.

Ndërkohë, Federata Rumune e Futbollit ka reaguar me një mesazh prekës në Facebook: “Ka momente në futboll kur rezultati nuk ka më rëndësi dhe e vetmja fitore për të cilën luftojmë është ajo e jetës. Sot është një nga ato momente dhe mendimet tona shkojnë te njeriu që ka formësuar fate, ka ndërtuar breza dhe ka vendosur Rumaninë në hartën e madhe të futbollit botëror. Jemi një skuadër, një zemër e vetme dhe kjo zemër rreh sot për ty! Duam të të transmetojmë gjithë energjinë dhe forcën që të duhet. Vazhdo të luftosh!”

 

Po ndodh...

ide