Shpenzimet për pagat nga kompanitë e sigurimit u rritën me 15% për 9 muaj

Presionet për rritje të pagave në sektorin financiar vazhdojnë të jenë të pranishme edhe gjatë vitit 2024.
Sipas statistikave të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF), shpenzimet për paga nga kompanitë e sigurimit të Jo-Jetës për 9-mujorin arritën në 964 milionë lekë, në rritje me 15% krahasuar me një vit më parë.
Në total, shpenzimet e personelit, (duke përfshirë kontributet e sigurimeve, trajnime, shpërblime, etj) prekën vlerën e 1.18 miliardë lekëve, në rritje me 15.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Një rritje e ngjashme e shpenzimeve për paga, me 13.8%, u shënua edhe në tregun më të vogël të sigurimit të Jetës.
Megjithëse nuk disponohen të dhëna për ecurinë e numrit të punësuarve, sipas drejtuesve të kompanive, efektin kryesor në rritjen e shpenzimeve për paga e ka dhënë rritja e tyre.
Në periudhën pas pandemisë, bizneset shqiptare u përballën me një trysni të lartë për rritjen e pagave, për shkak të rimëkëmbjes së shpejtë ekonomike, emigracionit në rritje mes të rinjve dhe niveleve të larta të qarkullimit të stafit. Kjo trysni u rrit edhe më shumë nga nivelet e lartë të inflacionit që goditën ekonominë pas vitit 2022. Kësaj tendence nuk i ka shpëtuar as sektori financiar.
Përveç sigurimeve, rritje e ndjeshme e shpenzimeve të personelit po regjistrohet edhe në sektorin bankar. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, shpenzimet për personelin për 9-mujorin 2024 arritën në më shumë se 12.8 miliardë lekë, në rritje me 14% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar dhe në nivelin më të lartë regjistruar ndonjëherë për këtë periudhë të vitit.
Të dhënat e Shoqatës Shqiptare të Bankave treguan se në fund të muajit shtator bankat raportuan 7 089 të punësuar, në rritje me 2.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Rritja e numrit të punësuarve ka ndikuar në rritjen e shpenzimeve të personelit, por megjithatë efektin më të madh në rritjen e tyre po vazhdon ta japë rritja e pagave.
Vitin e kaluar edhe sektori bankar nisi të përballet me një trysni në rritje nga tregu i punës, sidomos në pozicionet e nivelit të ulët dhe të mesëm. Lëvizjet e mëdha të stafit në këto pozicione dhe i kanë detyruar të rishikojnë në rritje pagat.
Sipas të dhënave të INSTAT, për tremujorin II 2024, paga mesatare në sektorin financiar arriti nivelin rekord prej më shumë se 166 mijë lekësh në muaj, në rritje vjetore me 11.4%.
Megjithëse sektori financiar ka pagën mesatare më të lartë në ekonominë shqiptare, në vitet e fundit presionet për rritjen e pagave ka qenë të qarta edhe në këtë segment. /Monitor
Po ndodh...
Gjermania, “mallkimi” i Ramës dhe Berishës
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128


