Presioni i provimeve të maturës, vetëhidhen nga lartësia dy adoleshente në Athinë

2026-05-12 14:45:31 / BOTA ALFA PRESS

Presioni i provimeve të maturës, vetëhidhen nga lartësia dy

I shokuar opinioni publik në Greqi kërkon të mësojë më shumë për një ngjarje tragjike me dy vajza 17-vjeçare, të cilat u hodhën nga tarraca e një pallati 6-katësh në zonën e Ilioupolit, të kapura dorë për dore.

Sipas mediave greke, gjithçka ndodhi rreth orës 12 të mesditës në rrugën “Eleftheriou Venizelou”. Të dhënat e para të hetimit çojnë drejt skenarit të vetëvrasjes, ndërsa njëra prej vajzave humbi jetën dhe tjetra ndodhet në gjendje tepër kritike në spitalin Asklepieio të Vulës, e intubuar dhe duke luftuar për jetën.

Një nga dy adoleshentet kishte lënë një shënim para se të ngjiteshin në tarracë. Në të shkruhej: “Na falni, ju duam shumë”. Sipas informacioneve, në shënim vajza përmendte edhe ankthin dhe presionin që ndiente për rezultatet e provimeve kombëtare greke të maturës , të njohura si “Panellinies”.

Mediat raportojnë se shënimi u gjet brenda një çante shpine që ishte lënë në tarracë, ndërsa njëra nga vajzat jetonte në katin e dytë të pallatit. Dyshohet se para se të hidheshin në boshllëkun mes pallateve , vajzat kishin mbyllur derën e tarracës.

Dëshmitarët përshkruajnë skena dramatike. Një biznesmen që ndodhej pranë pallatit tha se dëgjoi fillimisht një britmë të zgjatur dhe më pas një zhurmë shumë të fortë nga përplasja në beton. “Ktheva kokën dhe pashë dy vajzat të rrëzuara. Telefonova menjëherë ambulancën dhe policinë”, tha ai.

Sipas të njëjtit dëshmitar, njëra nga vajzat ende merrte frymë dhe përpiqej të komunikonte me vëllain e saj që kishte zbritur me vrap në vendngjarje. “Mezi fliste, nxirrte pasthirrma dhe dukej se kuptonte çfarë po ndodhte”, tha ai i tronditur.

Një fqinjë tregoi se pak minuta pra tragjedisë  vajzat kishin kërkuar çelësat e tarracës nga administratorja e pallatit. “Ajo nuk mund ta imagjinonte pse i donin”, ka deklaruar fqinja.

Në vendngjarje mbërritën ambulanca të urgjencës EKAB dhe forca policore, ndërsa mjekët luftuan për shumë minuta për të shpëtuar njërën prej tyre duke I dhënë ndihmën e duhur. Fatkeqësisht, njëra prej tyre nuk u përmend kurrë, ndërsa shoqja e saj ndodhet në gjendje kritike për jetën dhe është futur urgjent në sallën e operacionit .

Provimet e maturës në Greqi konsiderohen shumë të vështira dhe shkaktojnë shumë ankth deri tek nxënësit më të mirë dhe shpeshherë kanë qenë objekt I konfrontimeve politike për ndryshimin e mënyrës së zhvillimit të tyre , por deri tani asgjë nuk ka ndryshuar pavarësisht disa reformave arsimore.

 

Happening now...

ideas