Inteligjenca Artificiale - Një Univers Dystopik

2025-02-26 23:32:52 / IDE NGA ERL KODRA

Inteligjenca Artificiale - Një Univers Dystopik
Inteligjenca Artificiale nuk lindi në vitin 2023. Në të vërtetë, ajo erdhi në jetën tonë krejt natyrshëm, ndërsa tani ne e gjejmë veten brenda saj, të pushtuar plotësisht nga kjo teknologji. Ne, njerëzit, që jetojmë në planetin Tokë dhe mbajmë një telefon inteligjent në dorë, në fakt kemi mjetin me të cilin survejohemi dhe kontrollohemi në çdo aspekt dhe çdo sekondë të jetës sonë derisa të vdesim.

Në vitin 1956, në një konferencë shkencore të zhvilluar në Dartmouth të SHBA, për herë të parë u përdor termi "Inteligjencë Artificiale", si një disiplinë shkencore e veçantë. Në vitet 1970-1980 inteligjenca artificiale përdorej kryesisht nga sistemet eksperte dhe programe të specializuara që ndihmonin në vendimmarrje në fusha të tilla si mjekësia dhe financat. Në këtë kohë, përgjithësisht AI ishte një disiplinë akademike dhe shumë pak njerëz kishin njohuri se çfarë do të thoshte termi "Inteligjencë Artificiale".

Shpikja e internetit në vitet ‘90, por sidomos zhvillimi i motorëve të kërkimit, bëri që Inteligjenca Artificiale të bëhej pjesë e jetës sonë pa e kuptuar. Në vitin 1998 u themelua Google, e cila kuptonte pyetjet tona dhe na jepte përgjigje të sakta. Me kalimin e kohës, algoritmet filluan të analizojnë sjelljen tonë dhe të personalizojnë rezultatet e kërkimit për secilin prej nesh. Në 2004 u krijua rrjeti social Facebook, fillimisht si një rrjet social për studentët, por më vonë u kthye në njëlloj ekosistemi të madh të të dhënave. Përmes algoritmeve, Inteligjenca Artificiale filloi të analizojë sjelljen tonë dhe të përcaktojë se cilat postime duhej të shfaqeshin dhe cilat jo.

Në vitin 2005 Apple prezantoi iPhone, duke shënuar fillimin e epokës së telefonave inteligjentë dhe duke e kthyer ndërveprimin tonë me teknologjinë në varësi. Vetëm pak vite më vonë, Google dhe Apple krijuan asistentët virtualë Siri dhe Google Assistant. Kjo është edhe periudha kur ne filluam të konsumojmë teknologjinë, pa e kuptuar se ajo tashmë po na konsumonte ne. Algoritmet nisën të mësojnë rreth preferencave tona, emocioneve dhe mënyrës se si ndërveprojmë me njëri-tjetrin.

Hapi i madh në zhvillimin e Inteligjencës Artificiale ndodhi në vitet 2010 - 2020. Gjatë këtyre viteve, në fushën e teknologjisë së informacionit ndodhi i ashtuquajturi Eksplozioni i Madh i të Dhënave, duke fuqizuar AI përtej çdo parashikimi. Kjo është edhe arsyeja pse AI di të gjitha gjuhët e njerëzimit, të gjithë sjelljen tonë, njeh të gjitha emocionet, dëshirat dhe frikërat tona. Kështu, kompjuterat mësuan të njohin imazhe, numra, nuanca dhe emocione, si dhe të parashikojnë sjelljet tona në një shkallë shumë të avancuar.

Algoritmet filluan të mësojnë se çfarë na pëlqen dhe çfarë na mban të lidhur pas telefonit, duke krijuar një përvojë shpërblyese dhe të personalizuar për secilin prej nesh. Rrjetet sociale analizonin të dhënat dhe emocionet tona, ndërsa me miliarda faqe interneti mbusheshin me informacione nga historia njerëzore dhe universi. Kështu, ne krijuam kopjen tonë virtuale dhe ia dorëzuam atë teknologjisë.

Tashmë, teknologjia është kthyer në një mjet strategjik dhe gjeopolitik për qeveritë rrotull botës, por kryesisht për Shtetet e Bashkuara, Kinën dhe Rusinë. Fuqitë botërore e kanë kuptuar se kushdo që kontrollon Inteligjencën Artificiale, në fakt kontrollon botën. Tani ne nuk jemi më thjesht përdorues të teknologjisë, por jemi pjesë integrale e saj. Sjellja jonë është bërë e parashikueshme dhe e programueshme.

Epoka e Manipulimit Total 2020 - 2025

Në nëntor të 2023 u prezantua ChatGPT. Kështu Inteligjenca Artificiale e avancuar u bë e aksesueshme për publikun e gjerë. Që prej asaj dite, AI u kthye në një ndërveprim të drejtpërdrejtë mes makinës dhe njeriut – në të vërtetë – një instrument manipulimi dhe kontrolli mbi qeniet humane.

Kjo është pjesa e dukshme, ajo që ne shohim, prekim dhe perceptojmë. Por pjesa që ne nuk e shohim, nuk e kuptojmë dhe nuk e perceptojmë është fakti se ne nuk e dimë se sa larg ka shkuar kjo teknologji, për faktin e thjeshtë se kurrë nuk na është treguar se çfarë është kjo teknologji. Ajo na është ofruar në formën e përfitimit, si një shpikje teknologjike që do të na lehtësojë jetën. Termat dhe kushtet, politikat dhe ligjet nuk kanë qenë të drejta, dhe asnjëherë nuk na është shpjeguar qartë rreziku me të cilin do të përballemi. Dhe këtu nuk është fjala vetëm për emrat tanë ose gjurmët që kemi lënë në internet, por për faktin se kemi dorëzuar pa e kuptuar gjithë jetën tonë në një makinë, e cila mund të manipulojë sjelljen tonë, pikërisht duke përdorur emocionet tona më intime dhe më të thella.

Ne, njerëzit e Tokës, jemi kthyer në qenie të burgosura emocionalisht, të kontrollueshme dhe lehtësisht të manipulueshme përmes disa pajisjeve të vogla që mbajmë në xhep dhe që kushtojnë goxha shumë. Këto pajisje nuk i heqim nga duart, në asnjë çast të ditës, duke përthithur atë çfarë na ofron Inteligjenca Artificiale, e programuar për të na komanduar emocionet tona më intime.

 

Happening now...