“Plumbi i Artë”/ GJKKO jep vendimet për një prej dosjeve, dënon Shullazin dhe Astrit Avdylin me nga 10 vite burg, 8 vite për Cukalin! (LISTA)

2026-11-27 16:45:00 / AKTUALITET ALFA PRESS
“Plumbi i Artë”/ GJKKO jep vendimet për një prej

Sipas vendimit të GJKKO-së, Emiljano Shullazi dhe Astrit Avdyli janë dënuar me nga 10 vite burgim, ndërsa Gjergji Cukali me 8 vite. Xhelal Rraja është dënuar me 4 vite burg, kurse Miri Bruli me 3 vite e 4 muaj, por ky i fundit do të lirohet menjëherë, pasi koha e kaluar në paraburgim tejkalon masën e dënimit.

Vendimi është marrë nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, pas hetimeve të SPAK. Çështja është shqyrtuar me procedurën e gjykimit të shkurtuar.

Trupi gjykues, i përbërë nga gjyqtarët Erjon Bani, Flora Hajredinaj dhe Bib Ndreca, me vendimin nr. 77, datë 27 nëntor 2026, ka shpallur fajtorë 12 të pandehurit për veprat penale të përfshira në dosje.

Dënimet për 12 të pandehurit

 

Sipas vendimit, dënimet e dhëna janë:

  • Astrit Avdyli – 10 vite burgim, për sigurimin e kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e vrasjeve, pjesëmarrjen në grup të strukturuar kriminal, armëmbajtjen pa leje, ndihmën për kalim të paligjshëm të kufijve dhe vepra të tjera penale.
  • Emiljano Shullazi – 10 vite burgim, për sigurimin e kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e vrasjeve, pjesëmarrjen dhe organizimin e grupit të strukturuar kriminal, goditjet ndaj pjesëtarëve të familjes së personit që kryen detyrë shtetërore dhe futjen e sendeve të ndaluara në burg.
  • Naim Stafuka – 5 vite burgim, për sigurimin e kushteve dhe mjeteve për kryerjen e vrasjeve dhe pjesëmarrjen në grup të strukturuar kriminal.
  • Blerim Abazi, alias Blerim Gashi – 6 vite burgim, për sigurimin e kushteve dhe mjeteve për kryerjen e vrasjeve dhe pjesëmarrjen në grup të strukturuar kriminal.
  • Besian Xhixha – 6 vite e 8 muaj burgim, për sigurimin e kushteve dhe mjeteve për kryerjen e një vrasjeje dhe pjesëmarrjen në grup të strukturuar kriminal.
  • Enver Diva – 6 vite e 8 muaj burgim, për të njëjtat vepra penale.
  • Robert Laçi – 6 vite burgim, për sigurimin e kushteve dhe mjeteve për kryerjen e vrasjes dhe pjesëmarrjen në grup të strukturuar kriminal.
  • Gjergji Cukali – 8 vite burgim, për sigurimin e kushteve dhe mjeteve për kryerjen e dy vrasjeve dhe pjesëmarrjen në grup të strukturuar kriminal.
  • Viktor Imeraj, alias Viktor Bajraktari – 6 vite e 8 muaj burgim, për sigurimin e kushteve dhe mjeteve për kryerjen e vrasjeve dhe pjesëmarrjen në grup të strukturuar kriminal.
  • Satilno Basho – 6 vite burgim, për të njëjtat vepra penale.
  • Xhelal Rraja – 4 vite burgim, për sigurimin e kushteve dhe mjeteve për kryerjen e vrasjes dhe pjesëmarrjen në grup të strukturuar kriminal.
  • Miri Bruli – 3 vite e 4 muaj burgim, për ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve.

Miri Bruli lirohet menjëherë

Një prej vendimeve të gjykatës lidhet me Miri Brulin, për të cilin është urdhëruar lirimi i menjëhershëm nga paraburgimi.

Megjithëse u dënua me 3 vite e 4 muaj burgim, pas uljes me një të tretën për shkak të gjykimit të shkurtuar, GJKKO vendosi shuarjen e masës së sigurisë “Arrest në burg”.

Sipas arsyetimit të vendimit, koha që Bruli ka kaluar në paraburgim është më e gjatë se masa e dënimit të caktuar. Për këtë arsye, gjykata urdhëroi lirimin e tij të menjëhershëm, nëse nuk mbahet apo nuk duhet të mbahet i arrestuar, i ndaluar ose i dënuar për ndonjë vepër tjetër penale.

Burg i sigurisë së lartë për disa prej të dënuarve

Në vendimin e saj, GJKKO ka përcaktuar që disa prej të dënuarve ta vuajnë dënimin në burg të sigurisë së lartë.

Për Astrit Avdylin dhe Emiljano Shullazin është caktuar gjithashtu një periudhë sigurie e barabartë me kohëzgjatjen e plotë të dënimit, gjatë së cilës nuk do të mund të përfitojnë nga lirimi me kusht.

E njëjta periudhë sigurie është caktuar edhe për Besian Xhixhën, Enver Divën, Gjergji Cukalin, Viktor Imerajn dhe Satilno Bashon.

Gjykata ka vendosur gjithashtu konfiskimin dhe kalimin në favor të shtetit të një pistolete të markës Glock 17, 34 fishekëve dhe dy krehërve, të sekuestruar gjatë kontrollit të banesës së Astrit Avdylit.

Kundër vendimit mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 15 ditëve nga e nesërmja e njoftimit të vendimit.

 

Po ndodh...