Lulzim Basha padit Taulant Ballën për shpifje: Politikanët nuk mund të fshihen më pas "debatit politik", për të mos mbajtur përgjegjësi
Lulzim Basha i është drejtuar Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë me një padi civile ndaj Taulant Ballës, duke kërkuar përgënjeshtrimin publik të një deklarate të bërë nga ky i fundit nga foltorja e Kuvendit.
Basha e konsideron shpifje pretendimin e Ballës se Agron Shehaj kishte paguar para për t’u përfshirë në listën e kandidatëve për deputetë. Sipas Bashës, bëhet fjalë për një deklaratë të pavërtetë, të bërë publikisht dhe që cenon reputacionin dhe dinjitetin e tij.
Përmes padisë, Basha kërkon që gjykata ta detyrojë Ballën të tërheqë publikisht deklaratën dhe të publikojë përgënjeshtrimin në mediat kombëtare, me shpenzimet e tij.
Por përtej konfliktit mes dy politikanëve, Basha kërkon që gjykatat të mos lejojnë krijimin e një standardi të dyfishtë, ku deklaratat e politikanëve përjashtohen nga përgjegjësia ligjore vetëm sepse janë bërë në kuadër të debatit politik.
Në argumentimin e padisë, ai kundërshton praktikën e justifikimit të akuzave dhe pretendimeve të pavërteta me karakterin politik të deklaratave.
“Liria e shprehjes dhe debati politik nuk përbëjnë imunitet nga përgjegjësia ligjore për deklarata faktike të pavërteta që cenojnë reputacionin dhe dinjitetin e individit. Çdo rast duhet të shqyrtohet mbi bazën e fakteve, provave dhe standardeve të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, pa privilegje për shkak të statusit politik të palëve”, thuhet në kërkesën drejtuar gjykatës.
Në vitin 2023, Lulzim Basha propozoi në Kuvend një nismë ligjore për ashpërsimin e dënimit të shpifjes kur ajo kryhet nga të zgjedhurit, përfshirë deputetët.
“Të zgjedhurit në Kuvend nuk mund të kenë një trajtim preferencial në raport me zgjedhësit e tyre. Deputetët nuk mund të kenë lirinë e shpifjes, për sa kohë kjo liri nuk u njihet as nga Kushtetuta”, argumentohej asokohe.
Akuzat e ndërsjella mes politikanëve, të cilat shpesh nuk shoqërohen me përgjegjësi publike apo ligjore, kanë ndikuar në gërryerjen e besimit të qytetarëve te politika.

Po ndodh...
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128


