“Kosova e ka merituar statusin e vendit kandidat”, Kurti thirrje BE-së: Mos e vononi integrimin!

2026-11-27 18:22:00 / KOSOVA ALFA PRESS
“Kosova e ka merituar statusin e vendit kandidat”, Kurti thirrje

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që t’i japë Kosovës statusin e vendit kandidat dhe të nisë negociatat për anëtarësim, duke theksuar se vendi e ka merituar këtë hap përmes progresit demokratik dhe ekonomik.

Gjatë fjalimit në Samitin e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, të mbajtur në Tiranë, Kurti nënvizoi se Kosova mbetet i vetmi vend në rajon që ende nuk e ka marrë statusin e kandidatit për anëtarësim në BE.

Ai kërkoi që Këshilli i BE-së t’i kërkojë Komisionit Evropian përgatitjen e opinionit për aplikimin e Kosovës, duke rikujtuar se muajin e ardhshëm bëhen katër vjet nga dorëzimi i kërkesës për anëtarësim.

“Statusi i kandidatit dhe hapja e negociatave të anëtarësimit – një hap që Kosova e ka fituar me meritë”, deklaroi Kurti.

 

Kreu i qeverisë kosovare argumentoi se vendi ka shënuar përparim ekonomik dhe demokratik, duke përmendur rritjen ekonomike prej 4.7% në gjysmën e parë të vitit, shtimin e investimeve private dhe uljen e papunësisë nga 26% në 11%.

Ai foli gjithashtu për reformat në kuadër të Planit të Rritjes, duke pranuar se zgjedhjet e përsëritura kanë ngadalësuar zbatimin e tyre dhe kanë ndikuar në humbjen e miliona eurove nga ky program.

Në fjalën e tij, Kurti përmendi edhe përfitimet nga integrimi gradual me BE-në, ndërsa kritikoi Serbinë për pengesat në bashkëpunimin ekonomik rajonal, përfshirë mosnjohjen e diplomave dhe bllokadat në zbatimin e marrëveshjeve të CEFTA-s.

Më tej ai kërkoi që mbështetja financiare e Bashkimit Evropian për vendet e rajonit të shpërndahet në bazë të rezultateve dhe zbatimit të reformave, duke paralajmëruar se mungesa e përparimit në procesin e integrimit mund të dëmtojë besimin e qytetarëve të Kosovës te perspektiva evropiane.

 

Po ndodh...