Balluku rrezikon deri në 35 vite burg, Manja te Këshilli i Mandateve kundër SPAK: Masat e marra nga prokuroria deri tani për zv/kryeministren janë të mjaftueshme për hetimin!

2026-02-23 15:28:36 / POLITIKË ALFA PRESS

Balluku rrezikon deri në 35 vite burg, Manja te Këshilli i Mandateve

Të tjera detaje janë zbardhur nga mbledhja me dyer të mbyllura e Këshillit të Mandateve te Kryesia e Kuvendit, ku SPAK kërkoi heqjen e imunitetit të zv/kryeministres së pezulluar dhe e pandehur, Belinda Balluku, pasi ishin gjetur prova të reja që rëndonin pozitën e saj.

Ndërsa opozita u shpreh në kërkesat e saj se ka prova të mjaftueshme për ta dërguar çështjen në parlament dhe për ta votuar heqjen e imunitetit, me qëllim që t’i hapet rruga arrestimit të Ballukut, ndryshe mendojnë përfaqësuesit e mazhorancës.

Mes tyre ka qene ish-ministri i drejtësisë, Ulsi Manja, që u shpreh kundër kërkesës së SPAK, e përfaqësuar nga kreu i institucionit, Klodian Braho dhe prokurori Dritan Prençi, prezent në sallë.

Gjatë fjalës së tij, Manja mësohet se ka thënë ndër të tjera se “masat e marra deri tani nga SPAK për numrin dy të qeverisë, janë të mjaftueshme”.

“Masat e marra nga SPAK deri tani për Ballukun janë të mjaftueshme për hetimin”, ka deklaruar ai.

Sakaq, opozita kërkoi që Kuvendi të japë autorizimin për arrestimin e saj dhe mbledhja është mbyllur për ditën e sotme, pasi përfaqësuesit e SPAK kanë lënë Kuvendin dhe anëtarët e Komisionit pritet të vijojnë diskutimet e mëtejshme, nëse do e kalojnë për votim kërkesën apo jo.

Sipas SPAK, Balluku akuzohet se ka intimiduar dëshmitarët, që janë të pandehur ose jo në dosje, gjithashtu ka tentuar prishjen e provave.

Me faktet e reja të zbuluara, nga 10 vite që parashikon Kodi penal për marzhin e veprave në fillim të hetimit, tani ka shkuar në 35 vite. Balluku akuzohet për tenderët abuzivë të Tunelit të Llogarasë në Vlorë dhe Unazën e Madhe në Tiranë.

Happening now...