
A mund të përmirësohet SPAK nga klasa jonë politike?

Ekziston një konsensus i gjerë në opinionin publik se SPAK mund të përmirësohet edhe pse arritjet e tij në luftën anti-korrupsion janë evidente. Ka plot shqetësime të arësyeshme në lidhje me mënyrën se si ka vepruar SPAK që nga kushtetueshmëria e përgjimeve dhe e sekuestrimeve telefonike deri tek intimidimi i dëshmitarëve dhe arrestimi përpara formulimit të akuzës.
Janë shqetësime që në thelb kërkojnë të balancojnë luftën kundër korrupsionit me respektimin e të drejtave themelore të personave nën hetim, sidomos të atyre zyrtarëve publik që nuk gëzojnë mbështetjen politike, mediatike dhe financiare të peshqëve të mëdhenj.
Edhe pse vëmendja e mediave është tek vip-at e politikës, arrestimet problematike të SPAK-ut janë shumë më të shpeshta në nivelet e ulëta dhe të mesme të administratës publike. Ka plot raste individësh në nivele jo të larta të administratës publike që janë arrestuar në mënyrë abuzive nga zelli anti-korrupsion i SPAK-ut.
Natyrisht të pranosh përmirësimin e SPAK nuk do të thotë të jesh dakord me refomimin e tij, siç po kërkon PS-ja, dhe aq më pak të mbështesësh eleminimin e tij, siç pretendon berishizmi. Ideja se SPAK duhet reformuar dhe jo përmirësuar nënkupton se ky institucion ka dështuar.
Një institucion i dështuar reformohet ndërsa një institucion i suksesshëm përmirësohet. Dhe pavarësisht kritikave që mund ti bëhen SPAK, në sytë e shumicës së shqiptarëve suksesi i tij është i pamohueshëm. Ndaj ai mund të përmirësohet por jo të reformohet thellësisht, pasi është produkt i reformimit të drejtësisë së vjetër, që kish dështuar tërësisht në luftën anti-korrupsion.
Pyetja shtrohet, kush do ta përmirësojë SPAK–un dhe drejtësinë e re? Në pamje të parë përgjigja është e thjeshtë, parlamenti ka tagrin kushtetues në këtë fushë sepse jemi Republikë Parlamentare.
Problemi është se parlamenti shqiptar është, dhe sipas shumë gjasave do vazhdojë të jetë, vitrinë e klasës sonë të vjetër politike që është në konflikt të thellë interesi me SPAK sepse po hetohet prej tij. Shembulli më flagrant është natyrisht rasti i berishizmit, që tashmë është reduktuar në një lëvizje politike për mbylljen e hetimeve të SPAK-ut ndaj familjes Berisha.
Një konflikt i ngjashëm interesi ekziston edhe në rastin e PS-së, edhe pse më pak flagrant se në rastin e berishizmit. Partia Socialiste dhe kryeministri Rama shpall nevojën urgjente për reformimin e SPAK pikërisht kur hetimet e tij godasin në zemrën e pushtetit socialist.
Thirrjet e PS-së për ta futur SPAK në shina kushtetuese dhe për ta depolitizuar drejtësinë e re tingëllojnë të dyshmita kur artikulohen pas arrestimit të kryebashkiakut Veliaj. Aq më tepër kur arrestimi i tij nuk ishte as më i dhunëshëm, as më anti-kushtetues dhe as më politik se arrestime të mëparëshme të SPAK.
Akuzat e SPAK ndaj Veliajt mund të rrëzohen nesër në gjykatë ama ato nuk janë më pak serioze dhe më pak të faktuara se sa akuzat e këtij institucioni ndaj Metës apo Berishës. Shumica e gazetarëve dhe një pjesë e mirë e ekspertëve ligjor që e kanë studiuar me kujdes këtë dosje dëshmojnë se bëhet fjalë për një hetim serioz që nuk merret thjesht me lodra kalamajsh.
Nga ana tjetër arrestimi i Veliajt nuk është më politik se arrestimi i Berishës, dhe as më i dhunëshëm se arrestimi i Metës që u tërhoq zvarrë në mes të rrugës. Goditja politike që SPAK i ka dhënë LSI/PL dhe berishizmit është shumë më e madhe se goditja politike që ka marrë PS-ja me arrestimin e Veliajt.
E megjithatë as në rastin e Berishës dhe as në rastin e Metës PS-ja nuk është shprehur kundër dhunës apo politizimit të SPAK. Ndaj shqetësimi i papritur i kryeministrit Rama dhe i kampit socialist me kushtetueshmërinë, dhunën dhe politizimin e SPAK-ut është i dyshimtë. Sidomos sot kur ata janë në konflikt të hapur interesi me këtë institucion.
Në këto kushte shtrohet pyetja: Nëpërmjet cilit legjitimitet do ta bëjë reformimin e SPAK e njëjta klasë politike që është vënë në bankën e të akuzuarve nga ky institucion? Me legjitimitetin që vjen nga vota e popullit, do ishte përgjigja e klasës sonë politike.
Ama të gjitha sondazhet tregojnë se përsa i përket luftës anti-korrupsion qytetarët shqiptar kanë shumë më besim tek SPAK dhe drejtësia e re sesa tek partitë politike. Aq më tepër kur këto të fundit e kanë monopolizuar skenën politike duke e bllokuar tërësisht rinovimin e saj.
Rama ka monopolizuar PS-në duke eleminuar çdo mundësi për rinovim brenda pushtetiti socialist, ndërkohë Berisha ka privatizuar PD-në duke eleminuar çdo mundësi të rinovimit opozitar. Në një sistem thellësisht bipolar kjo e ka reduktuar rinovimin e politikës tek parti të vogla që janë në periferi të hapësirës politike dhe mediatike. Nuk është çudi që shumica e qytetarëve nuk janë të kënaqur me asnjë nga partitë politike tradicionale.
Partia Socialiste është, dhe do vazhdojë, në pushtet jo sepse shumica e shqiptarëve është e kënaqur me qeverisjen e saj por sepse kjo shumicë urren më shumë alternativën berishiste. Ndërkohë berishizmi do vazhdojë të mobilizojë atë pakicë të elektoratit që urren me shpirt Ramën më shumë se Berishën.
Në këto kushte përmirësimi i SPAK nuk duhet, dhe nuk mund të jetë, prioritet i klasës politike shqiptare. Problemet e Shqipërisë dhe problemet e klasës sonë politike janë shumë më serioze se sa problemet e SPAK-ut.
Kjo e fundit ka, gjithësesi, disa mekanizma të brendëshëm kontrolli dhe balancimi mes shkallëve të ndryshme të saj, Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Gjykatës Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) dhe Gjykatës së Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Pa përmendur mekanizmat gjygjësor që ekzistojnë jashtë SPAK.
Asgjë e tillë nuk gjendet brenda partive tona politike ku pushteti është përqendruar tërësisht në duart e shefit, pa asnjë mekanizëm të brendshëm apo të jashtëm kontrolli apo balancimi. Ti besosh këtyre institucioneve, thellësisht të korruptuara dhe anti-demokratike, reformën e institucionit më të suksesshëm anti-korrupsion në historinë e shtetit shqiptar është njësoj si ti varësh mëlçitë në qafë të ujkut. Sidomos sot kur perëndimi është tejet i paralizuar nga sëmundja Trump për të garantuar përmirësimin dhe jo deformimin e SPAK-ut./ Lapsi.al

ide

A mund të përmirësohet SPAK nga klasa jonë politike?

Inteligjenca Artificiale - Një Univers Dystopik

Zoti i korrupsionit nuk mund të përlyejë Zonjën e drejtësisë
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128