Bekimi i Edi Ramës dhe vampiri në kurriz tonë!
Sali Berisha është tashmë një bekim për Edi Ramën dhe Partinë Socialiste. Madje, për të qenë mirënjohës deri në fund, Rama duhet të nxjerrë një VKM ku të urdhërohet që në çdo institucion të hiqet fotoja e Ismail Qemali dhe të vendoset fotoja e Sali Berishës… babait shpirtëror të “Rilindjes” 2013–2029.
Nuk më vjen në mendje asnjë rast më i ngjashëm në politikë, ku metafora dhe figurativja janë kaq të ngjitura me realen. Literalisht, më shumë sesa figurativisht, Berisha i është hipur si një vampir në kurriz Partisë Demokratike, të djathtëve, dhe i ngul dhëmbët, i ngul, i ngul, duke i thithur gjithë gjakun, derisa sot trupi i PD u gjunjëzua dhe ra si i vdekur në tokë.
Ka që prej shtatorit 2021 që Berisha doli nga hija ku rrinte pas PD-së dhe, si një vampir në nevojë fiziologjike për gjak, i nguli dhëmbët në qafë dhe nuk iu nda më. Mblodhi rreth vetes gjithë figurat politike që nuk janë të djathta, por aderonin në PD si punonjës partie dhe bashkëndarës të plaçkës që ajo parti rrëmbente sa herë ishte në pushtet, adhurues të Sali Berishës. I ofroi vendit një alternativë me figura ku injoranca gërshetohej me servilizmin, ku hajdutëria e tyre sfumohej nga lidhjet me krimin, ku pështirësia e tyre si ortakë të oligarkëve kundërmonte edhe mbi pazaret e tyre me pushtetin e Edi Rama.
Sali Berisha rithemeloi një parti plot me ish-policë injorantë dhe batakçinj, me njerëz që dikur kanë qenë avokatë të Nexhmije Hoxha, bij të gjyqtarëve dhe prokurorëve të nomenklaturës komuniste, me ish-drejtorë të lojërave të fatit ortakë me elementë të ndyrë të PS si Ergys Agasi, me ish-ministra të korruptuar deri në palcë, ish-prokurorë të lidhur me krimin dhe ish-gjyqtarë të korruptuar deri në dhëmbët e tyre prej floriri… dhe me një brez të rinjsh që ishin produkt i kësaj dekadence morale dhe intelektuale: të rinj që me PD i lidhte lidhja familjare e fisnore me një ish-polic kriminal dhe milioner korrupsioni si Agron Kuliqi, që admironin modele si Albana Vokshi dhe Flamur Noka, që aspironin karrierë si komunisti që i vuri kazmën kishave dhe xhamive, Tritan Shehu… që, teksa reagonin me pasion për të ndjerin Klodian Rasha që ndërroi jetë në landfillin e Sharrës për faj të Erion Veliaj, harronin 28 të vrarë në Gërdec nga grykësia e njëjtë për pasuri e Shkëlzen Berishës… si Belind Këlliçi që do mundte Veliajn duke i shërbyer me kokëulur dhe adhurim Shkëlzen Berishës.
Ia nguli dhëmbët aq fort asaj partie të bekuar… i injektoi helmin (këto deformime të shoqërisë sonë më sipër), sa e dobësoi aq shumë, sa PD humbi zgjedhjet lokale me një rezultat aq dramatik sa ai i vitit 1997, duke humbur bashkitë e Shkodrës, Kukësit dhe gjithë Shqipërisë.
Pa fund justifikime: “Berisha s’ka logon e PD-së, ndaj humbi” një absurditet logjik, sepse nëse njerëzit mendonin se Berishës i ishte bërë një padrejtësi aq e madhe, do të mobilizoheshin më fort për të reaguar ndaj saj.
Vazhdoi ta dobësonte trupin e PD-së, duke mos zbritur asnjë çast nga kurrizi i saj dhe duke mos i hequr asnjë moment dhëmbët e vampirit nga qafa, derisa Rama i dha vulën, logon dhe “tapinë” e PD-së. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe: një vampir në kurrizin e PD-së ishte një bekim për Edi Rama. Dhe në zgjedhjet e 2025 i dha Ramës një fitore plebishitare.
Derisa sot i dha ndukjen e fundit qafës së PD-së, dhe kufoma e saj dergjet në tokë tashmë…
Një vampir 82-vjeçar, që nuk ka më as nerva të ketë njeri përballë në garë për kreun e PD-së, as për fasadë, as sa për sy e faqe. Pse? Sepse tashmë Berisha nuk lufton për të fituar garën brenda PD-së atë garë ai e fiton pa problem sa herë të dojë. Por, ashtu si një vampir që i ka ngulur dhëmbët një trupi dhe e konsideron kufomën pronë të tij, dhe tërbohet nëse duhet të ndeshet për të, ashtu edhe Berisha tërbohet nëse dikush ende nuk kupton që PD është kufoma e tij, prona e tij.
Kush është Evi Kokalari, Salianji apo kushdo tjetër që të hyjë në garë për drejtimin e PD-së me Berishën?! Ai ka 4 vite që i hipur mbi kurriz i ngul dhëmbët , e këta dashkan të garojnë kaq lehtësisht, pa bërë asgjë “gjakatare”!
Dhe njësoj si vampiri i vjetër që “polli” vampirin Berisha, Enver Hoxha, që i pëlqente ta thërrisnin “Merhumi”, ashtu edhe për t’u tallur me ne sot, Berisha vendosi të garojë përballë një fantazme politike me emrin “Merhume Saliu”. Çfarë perle… çfarë gjetje e Berishës!
Po ndodh...
Sali Brava
ide
Bekimi i Edi Ramës dhe vampiri në kurriz tonë!
Spiropali dhe loja e pritjes për lidershipin
Këmbëngulja e Berishës si strategji e dështimit
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128