Bullizmi në politikë – gjuha që manipulon zgjedhjet dhe deformon shoqërinë

17 Mars 2025, 11:13 / IDE NGA NELI DEMI

Bullizmi në politikë – gjuha që manipulon zgjedhjet dhe

Fushatat zgjedhore nuk janë më beteja idesh—janë shëndrruar në gara për të folur më fort, për të ulur më poshtë, për të goditur më ashpër.

Retorika e bullizmit nuk është një aksident i politikës shqiptare, por një strategji e mirëmenduar: ajo nuk synon vetëm kundërshtarët, por edhe votuesit. Kur debati politik mbulohet nga fyerjet, njerëzit lodhen, shpërqendrohen, humbin besimin se diçka mund të ndryshojë. Dhe kur njerëzit dorëzohen, ata që janë në pushtet fitojnë.

Nga një këndvështrim i sjelljes njerëzore, ky fenomen është i parashikueshëm. Kur një individ përballet me stres të vazhdueshëm, reagimet kryesore janë “fight” or “flight” pra lufta ose arratia. Në politikë, “lufta” do të thoshte angazhim aktiv, votë ndëshkuese, kërkesë për llogaridhënie.

Por bullizmi krijon një efekt tjetër: ai bën që njerëzit të zgjedhin “arratinë”—tërheqjen nga politika, indiferencën, cinizmin. Kjo është një formë e manipulimi psikologjik: bëj njerëzit të ndihen të pafuqishëm dhe ata nuk do të sfidojnë kurrë status quo-në.

Bullizmi në politikë funksionon si një epidemi: ai përsëritet aq shpesh, aq ngulmueshëm, sa bëhet ngjitës. Fillimisht na trondit, pastaj na lodh, dhe në fund na duket normal.

Deri kur? Deri kur dikush zgjedh të mos e pranojë më si normë.

Ndaj zgjedhjet e këtij viti nuk janë vetëm për emra dhe parti, por për të vendosur nëse do të vazhdojmë të jetojmë në një shoqëri të helmuar nga frika dhe fyerjet, apo në një shoqëri ku argumenti mposht dhunën verbale.
Si ndryshon kjo? Duke e kuptuar lojën. Duke mos u tërhequr.

Duke e refuzuar këtë gjuhë, jo vetëm në zgjedhje, por çdo ditë.

Nëse bullizmi ka një efekt domino, edhe dinjiteti dhe argumenti e kanë. Dikush duhet ta shtyjë gurin e parë.

Po ndodh...