Fallxhorët e Medias

Gjatë kohës së monizmit, fallxhorët ishin kryesisht gra, jo vetëm të komunitetit rom, por edhe lokale që ofronin leximin e fatit, interpretimin e ëndrrave dhe parashikime për martesat, lindjet apo ndarjet familjare. Ata vepronin kryesisht në mënyrë të fshehtë, sepse autoriteti i shtetit i perceptonte këto praktika si supersticion dhe përpiqej t’i penalizonte.
Pavarësisht vigjilencës së regjimit të kohës, fallxhorët gjenin hapësira ti ushtronin pseudo aftësitë e veçanta që kishin, për sa kohë kishte kërkesë në treg. Ajo që i dallonte ata nuk ishte aftësia për të parashikuar të ardhmen, por mënyra sesi ata arrinin të formonin perceptimin e të tjerëve. Çdo fjalë, parashikim pavarësisht se ishte një improvizim apo fantazi momentale, rëndësi kishte se publiku krijonte një iluzion kontrolli mbi të ardhmen, një mënyrë për të qetësuar ankthin dhe për të dhënë siguri.
Sot, ky “profesion” ka kaluar tek ekranet dhe portalet e lajmeve. Ekspertë të kriminalistikës, gazetarë të kronikës së zezë apo analistë politik, shpesh prodhojnë parashikime bombastike pa u shqetësuar për burimet, probabilitetin apo vërtetësinë e asaj që thonë. Fraza të tipit, së shpejti një video do të behet publike, arrestime të bujshme priten brenda javës, një dosje me emra të rendësishëm është në duart e prokurorëve, një ministër do të arrestohet, një furtunë shkarkimesh në ministri pritet javën tjetër, etj.
Aspekti më tronditës nuk është vetëm se janë shtuar fallxhorët modernë, por se media ka rritur interesin për ta. Ajo jo vetëm që riprodhon deklaratat e tyre, por shpesh i fton pikërisht për guximin që kanë të bëjnë parashikime të pabazuara. Këto “gomarlleqe” nuk janë të rastit pasi zhurma, skandali dhe paragjykimi prodhojnë klikime, debat dhe jehonë. Media ka pritshmëri nga absurditeti dhe nga budallëku i tyre. Kështu lind një rreth i mbyllur ku mediokriteti i fallxhorëve dhe lajmi i pabazë ushqehen reciprokisht, duke krijuar një cikël që duket i pafundëm.
Nga prespektiva psikologjike, Sander van der Linden, ka studiuar pse njerëzit bien pre e dezinformatave dhe pse lajmet e pabazuara përhapen shpejt, duke sugjeruar se perceptimet tona sociale dhe vendimmarrja janë të ndikuara fuqishëm nga mënyra se si prezantohen informacionet shpesh pa asnjë verifikim të thellë dhe kjo ushqen kërkesën për lajme të pabazuara.
Në këtë klimë, publikimi i një lajmi të pabazë bëhet një marrëveshje e heshtur mes mediave dhe “fallxhorëve”. Media i siguron platformën dhe jehonën, ndërsa ata furnizojnë materialin bombastik që gjeneron trafik, klikime dhe diskutime shpesh pa ndonjë përpjekje për të verifikuar vërtetësinë e pretendimeve. Kjo e fundit gati është bërë e varur nga ky lloj “lajmi”në vend që të kërkojë fakte dhe prova, kërkon emocion, shpërthime hipotetike dhe ndjesi sigurie të rreme, edhe kur nuk ka bazë reale.
Publiku nga ana tjetër eksitohet nga absurditeti, skandali dhe të dhënat që dëshiron të besojë, edhe kur janë të pavërteta. Në këtë mënyrë, çdo reagim i tij nuk ushqen thjesht lajmin, por i jep jetë ciklit të vetë-ushqyer të mediokriteti. Kështu krijohet një cikël i mbyllur ku fallxhorët modernë thonë budallallëqe, media krijon hapësirë dhe e amplifikon më shumë atë, ndërsa publiku klikon, shpërndan dhe e ushqen këtë absurditet duke e kthyer parashikimin për të ardhmen në një drogë kolektive.
Në fund, ky cikël absurd nuk është vetëm qesharak, ai është një paralajmërim për shoqërinë tonë. Nëse lejohen dhe shpërblehen lajmet e pabazuara vetëm sepse bëjnë bujë, atëherë jo vetëm që media degradohet, por humbet edhe aftësia për të dalluar mes asaj që është reale dhe asaj që është vetëm bujë apo realitet i prodhuar prej saj. Mirëpo, kur buja e pabazë triumfon mbi të vërtetën, ne nuk shohim më botën për atë që është, por për atë që media dhe pseudo‑ekspertët na lejojnë të besojmë.
Po ndodh...
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128