
Koka e Veliajt në burg, koka e Ramës në shesh

Ndërtesa si kokë njeriu, e cila ka filluar të zhvishet nga skeleria dhe i ka dalë gjysma e trupit, i mbyll daljen në sheshin Skënderbej, rrugës së Dibrës, itinerar ky i vjetër sa vetë qyteti. Arkitekti i kësaj ndërtese, është Winy Maas i studios hollandeze MVRDV, një nga arkitektët-klientë të rrethit të ngushtë të Kryeministrit Edi Rama, i njëjti që ka projektuar Piramidën, kullën Down Town, dhe kushedi se sa të tjera në Tiranë. I njëjti arkitekt që disa vite më herët, në një leksion, përpara studentë, tregonte se si luante ngjyrash dhe fasadash me simbolet kombëtare shqiptare, nën udhëzimet e kryeministrit Rama. Por Winy Maas nuk është i vetmi i preferuar nga Rama. Bjarke Ingels, Stefano Boeri, Casamonti etj., janë parë po aq miqësorë me kreun e shtetit, të ftuar nga ky i fundit herë për porosi ad hoc, herë për juri.
“Ka më shumë arkitektë hollandezë në Tiranë se sa ka në Hollandë”, ishte batuta e Erion Veliajt në samitin e zhvilluar në Tiranë, të kryetarëve të disa qyteteve në Europë me moton “Pakti i qyteteve të lira”, I themeluar nga Kryetarët e Bashkive të katër kryeqyteteve të Vishegradit (Varshavë, Pragë, Bratislavë dhe Budapest). Pas këtij samiti Tirana është pjesë e këtij rrjeti global qytetesh, të cilët janë të vendosur të ngrihen për vlerat progresive dhe të luftojnë kundër populizmit nacionalist, duke promovuar qytetet liberale dhe autonome.
Prezenca kryeministrit Rama, ishte shumë dominante, duke marrë qendrën e diskutimit për një samit të konceptuar dhe organizuar vetëm për, dhe me, përfaqësues vendor. Në takimin, që pak ditë më vonë do të ishte, nga të fundit takime publike të Veliajt, nuk munguan metaforat e përdorura nga ky i fundit për të përkëdhelur, sedrën e kryeministrit. Ai iu referua atij si “gjigandi pranë shpatullave të së cilit ai ishte rritur, dhe frymëzuar”, aty ku ai, Veliaj, “si kryetar bashkie, shërbëtor publik e gjeti trasenë e hapur më herët nga Rama si ish kryetar bashkie i Tiranës”. Për të mos u ndalur tek përcaktimi i vetes, nga Erioni, si “shërbëtor publik”, kur ka katër akuza penale mbi shpinë, dhe është nën arrest me burg, çfarë ka vlerë për diskutim është fiktiviteti i prezantimit të qeverisjes së Tiranës, si model suksesi. Propagandë kjo, e denoncuar vazhdimisht.
Me zellin për të fol shumë, Veliaj, jo vetëm që u dallua për fiktivitetin në këtë aleancë qytetesh, por në 6 minuta e 30 sekonda që ishte fjalimi i tij, i tregoi audiencës se sa e varur është Tirana nga qeveria qëndrore dhe në veçanti nga kryeministri Edi Rama. Ndryshe nga qytetet e tjera në këtë pakt, të cilat janë bashkuar për tu përballur me sfida të mëdha ndaj qeverisë qendrore dhe synojnë këtë bashkëpunim horizontal, në nivel lokal, Bashkia e Tiranës, nën drejtimin e Veliajt, s’ka qenë ndonjëherë kaq e varur nga qeveria aq sa të shndërrohet edhe në instrument të planifikueshëm dhe kontrollueshëm nga vetë Kryeministri.
Në maj të vitit të kaluar, me ndryshimin ligjit “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit, i ndryshuar”, (e pesta herë) dhe më tej, në qershor, me një vendim të këshillit të ministrave (ndryshimi i 10-të, i VKM-së 408/2014), bashkive ju hoqën kompetenca në zhvillimin e territorit, duke ia kaluar ato organeve të qeverisë. Me propozim të ministrit Balluku, në parlament dhe më pas me anë të këshillit të ministrave që ai drejton, iu hoqën jo vetëm kompetenca pushtetit lokal, duke ndërhyrë direkt në autonominë e tij, porse Këshilli i drejtuar nga kreu i qeverisë, zgjeroi edhe territorin mbi të cilin ka vendimarrje, duke e shtrirë kompetencat e KKT, edhe tek ujërat, pasuritë publike të Republikës.
Fakti është se, i vetmi pakt i vlefshëm që ka dhe do të ketë Tirana, është ai me qeverinë Rama, dhe garantuesi për të ndodhur kjo, është vetë Rama, prezenca e të cilit në këtë samit kryebashkiakësh, mori jo vetëm më shumë vëmendje por edhe fjala e tij më shumë kohë. Ishte vetë Veliaj, që duke u nisur të heqë vetullat, nxorri sytë, kur u shpreh se “unë jam fatlumë, që jo vetëm që nuk e kam atë sfidë, por kam një bashkëpunim dhe një mbështetje të paepur, nga kryeministri im, ish kryetari i bashkisë së Tiranës”.
Pavarësia ndaj pushtetit qëndor, shumë e kërkuar nga kryebashkiakët evropiane për të demokratizuar qytetin, është thelbi i këtij pakti jo vetëm hipokrit nga ana e Veliajt, por edhe fiktiv, pasi reklamohet si model suksesi Tirana e marrë peng dhe kontrolluar nga qeveria dhe kreu i saj.
Veliaj në atë takim, duke dashur t’i serviloset, evidentoi faktin se Bashkia Tiranë është një nga instrumentat e përdorur nga kreu i qeverisë Rama për të zhvilluar politikën e tij me hapësirën urbane të kryeqytetit. Tre mandatet e një pas njëshme të Ramës në fillim në bashki dhe më tej edhe tre të tjera në qeveri, e kanë trajtuar Tiranën dhe qendrën e saj, si arenën ku prodhohet dhe luhet, propaganda e politikës qëndrore. Njejtë si Enver Hoxha, dhe Mussolini para tij.
Dhe sikur ta kishte parashkruar fatin e tij, në atë samit kryebashkiakësh, dhjetë ditë pas nga arrestit me burg të Veliajt, me vendim të Gjykatës së Posaçme, Rama rimerr “kurorën” e kryebashkiakut, 14 vjet pasi e kishte humbur në zgjedhjet përballë Bashës.
Madhështinë e takimit të njoftuar si “mbledhje pune”, ditën e përkujtimit të rrëzimit të statujës së diktatorit nga studentët, do t’ia kishte zili çdo kryetar komiteti ekzekutiv, tek e sheh nga ferri apo nga purgatori ku ndodhet. Karriget e vendosura në shabllon, ndriçimi dhe konfigurimi artistik i skenografisë, i rrinin si qilim i shtruar përpara skenës ku ngritej podiumi, me ekranin që llamburiste arritjet e pushtetit 25 vjeçar të Ramës.
Çibanët që rrethojnë sheshin, Totem-ët e ngjitur pas 15 katëshit, dhe ato që Kullës së Sahatit dhe Xhamisë së Et’hem Beut, që i janë vendosur si një shpinore betoni, ia mbyllnin podiumin, kryeministrit±kryebashkiak, dhe ngjasonin si një morsetë që e ka kapur për fyti qendrën e Tiranës, dhe atë pasditë të ftohtë shkurti, vetë Ramën, ngjitur mbi podium, në qendër të saj.
I vendosur, përballë hijes që ka ende në shesh statuja e diktatorit, gati simetrikisht me podiumin ku dikur lartësohej shtatorja e tij, Rama dukej sikur atë përvjetor të rrëzimit tij, po ndeshej me hijet e të shkuarës, të cilat me rënien e diellit në koridorin e rrugës së Durrësit u zgjatën e mbuluan në fillim Ramën, më pas skenografinë e teatrit të pikturuar nga vetë ai.
Më 20 shkurt të 2025, sheshi, ose të paktën një copëz e tij, u shndërrua në një ‘staging’ të një takimi organizate bazë partie, e cila për nga vakumi masiv i atij sheshi, (që nuk është shesh), apo për nga tkurrja e trupave të ftohur nga pleviti i shkurtit, për nga fjalimet e gjata, apo videoperformanca e mbikonsumuar në imazhe të përsëritura, u zvogëlua në një grusht njerëzish. Folësit e paktë, që u ngjitën në podiumin e vendosur me kokën nga lindja dhe këmbët nga perëndimi, performuan skenën e fundit për Veliajn: Epilogun e tij politik.

Fundi i një Lideri të fortë edhe njëkohësisht të dobët, si rasti Rama!
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128