Me Berishën, sa të jetë Toka, PD nuk fiton!

1 Mars 2026, 11:09 / IDE NGA ERL KODRA

Me Berishën, sa të jetë Toka, PD nuk fiton!

Mbrëmë u zhvillua protesta e Partisë Demokratike kundër qeverisë. E ndoqa me gjysëm vëmendje, për shkak se një sy e kisha në mediat ndërkombëtare rreth zhvillimeve në Iran. Aty nga fundi i protestës u ktheva 100 % tek zhvillimet në Tiranë, sepse do të kuptoja diçka; cili ishte rezultati real i protestës? Çfarë impakti do të ketë në jetën politike të vendit? A do të bjerë Qeveria Rama? Tek e fundit, nëse Rama nuk bie, ashtu siç nuk ra për 14 vite rrjesht, a nuk është momenti që të bëhet një analizë elementare se pse nuk bie Rama?

Ajo që vura re nga fundi, atëherë kur gazetarët e terrenit me sy të kuq nga lotët e gazit lotsjellës raportonin të lodhur nga rrugët e Tiranës, vura re se protestuesit po zhdukeshin në errësirë; të lodhur, të frustuar, por të zhgënjyer se Edi Rama nuk ra as kësaj here. Dhe sigurisht që nuk do të bjerë, ashtu siç nuk ra për 14 vite rrjesht.

Arsyeja është e thjeshtë dhe brutale: Partia Demokratike nuk e ka shumicën atyre zgjedhësve që shkojnë të votojnë sa herë ka zgjedhje. Dhe në demokraci - edhe në demokraci si e jona - pushteti vjen me votë.

Po si ka mundësi?!

A nuk është Edi Rama kryeministri më i korruptuar në Historinë e Shqipërisë?

Po, është.

A nuk është Partia Demokratike më e madhja parti opozitare që është alternativë e pushtetit?

Po, është.

A nuk ka denoncuar Partia Demokratike të gjitha vjedhjet, zullumet, keq-qeverisjen dhe poshtërsitë e Edi Ramës?

Po, e ka bërë.

A i ka më shumë se gjysmën e qeverisë në burg, dhe dy ish zv. kryeministra Arben Ahmetaj dhe Belinda Balluku, të akuzuar për korrupsion, të kërkuar nga SPAK dhe urdhëra gjykate për arrestimin e tyre?

Po, i ka.

Po pse dreqin nuk bie Edi Rama?

Në fakt fajin e ka Partia Demokratike, dhe personalisht Sali Berisha.

Sa të jetë toka, Sali Berisha nuk fiton zgjedhjet në Shqipëri. Sa të jetë toka, Sali Berishën nuk e votojnë shumica e shqiptarëve. Kjo është e vërtetë si Ligji i Gravitetit. Dhe këtë e dinë shumica e demokratëve. Në fakt Sali Berisha qëndron aty dhe "proteston" me vetëm një qëllim:

Të mbajë pushtetin në Partinë Demokratike, ndërsa Edi Rama të mbajë qeverinë. Kaq është objektivi i tij, asgjë tjetër.

Por ata kanë zgjedhur t'i binden Sali Berishës, megjithse e dinë se nuk do të fitojnë kurrë.

Sot do vazhdojë jeta normalisht. Elita e Partisë Demokratike me Sali Berishën në krye do t'i kthehet rutinës dhe bizneseve opozitare, ndërsa qeveria do të vazhdojë bizneset qeveritare.

Derisa Edi Rama të rrëzohet vet. Por përsëri Sali Berisha nuk do mund të bëhet Kryeministër.

Sa të jetë Toka.

Po ndodh...