Altin Dumani merr në pyetje Mirel Mërtirin në Vjenë

24 November 2026, 21:37 / AKTUALITET ALFA PRESS
Altin Dumani merr në pyetje Mirel Mërtirin në Vjenë

Hetimet për çështjen e inceneratorëve kanë shënuar një zhvillim të ri në territorin austriak.

Albanian Post ka mësuar se prokurori i posaçëm Altin Dumani, i shoqëruar nga agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), ka marrë në pyetje në Vjenë biznesmenin Mirel Mërtiri, një prej figurave qendrore të dosjes së inceneratorëve.

Mërtiri ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar në shkurt të vitit 2023, pas një urdhër-arresti.

Albanian Post iu drejtua zyrtarisht SPAK-ut me një kërkesë për informacion, duke kërkuar konfirmimin e pranisë së Dumanit në Austri, zhvillimin e veprimeve hetimore dhe marrjen në pyetje të Mërtirit.

Redaksia kërkoi gjithashtu të mësonte nëse këto veprime ishin ndërmarrë në kuadër të bashkëpunimit juridiksional ndërkombëtar me autoritetet austriake.

Në përgjigjen zyrtare drejtuar Albanian Post, Prokuroria e Posaçme as nuk e konfirmoi dhe as nuk e mohoi informacionin e siguruar nga redaksia.

“Sipas neneve 103 dhe 279 të Kodit të Procedurës Penale, të cilët parashikojnë detyrimin për ruajtjen e sekretit hetimor dhe ndalimin e publikimit të akteve që lidhen me hetimet paraprake, nuk mund të konfirmojmë apo të mohojmë kryerjen e veprimeve konkrete hetimore”, thuhet në përgjigjen e SPAK-ut.

Nuk dihet ende përmbajtja e marrjes në pyetje të Mërtirit, çështjet konkrete mbi të cilat është pyetur apo procedimi penal në kuadër të të cilit është zhvilluar ky veprim.

Dosja e inceneratorëve dhe gjurma financiare
Mirel Mërtiri është një prej personave kryesorë të akuzuar nga Prokuroria e Posaçme në lidhje me inceneratorët.

Në nëntor të vitit 2022, SPAK ngriti ndaj tij akuza për korrupsion dhe pastrim parash në lidhje me inceneratorin e Elbasanit.

Ndërkohë, në kuadër të hetimeve për inceneratorin e Tiranës, Prokuroria e Posaçme ka dërguar për gjykim 12 persona dhe dy shoqëri tregtare, në një procedim që përfshin akuza për mashtrim, pastrim parash dhe veprimtari në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Sipas SPAK-ut, Mërtiri dhe Klodian Zoto ishin pronarët “de facto” të shoqërisë koncesionare “Integrated Energy BV SPV”.

Nga lidhja e kontratës koncesionare në gusht të vitit 2017 deri në sekuestrimin e kompanisë në vitin 2023, shoqëria kishte siguruar të ardhura prej mbi 11.3 miliardë lekësh, ndërsa për ndërtimin e objektit ishin investuar vetëm rreth 21 milionë euro.

Prokuroria pretendon se nëpërmjet faturave fiktive, shoqërive të krijuara brenda dhe jashtë vendit dhe transfertave në para fizike janë nxjerrë nga llogaritë e kompanisë rreth 1.28 miliardë lekë dhe 16.67 milionë euro.

Pavarësisht dërgimit për gjykim të këtij fraksioni të dosjes, SPAK ka bërë të ditur se hetimet vijojnë në procedimin e ndarë penal nr. 255/3, për evidentimin e fakteve të tjera penale dhe personave përgjegjës gjatë dhënies dhe zbatimit të kontratës koncesionare.

Mbetet e paqartë nëse marrja në pyetje e Mërtirit në Vjenë lidhet me këtë procedim apo me një tjetër fraksion të dosjes së inceneratorëve./AlbanianPost

Po ndodh...