Taulant Balla dhe rikthimi i helmit enverist ndaj klerit ortodoks

24 November 2026, 23:57 / IDE NGA ERMAL PEçI
Taulant Balla dhe rikthimi i helmit enverist ndaj klerit ortodoks

Nga Ermal Peçi

Injoranca shpeshherë nuk është as argument dhe as tezë, por ndonjëherë je i detyruar të përballesh me të, sepse nëpërmjet injorancës dhe populizmit, politikanët mediokër kërkojnë të hedhin helm në një shoqëri që po ata e kanë varfëruar.

Nuk do të merresha me Taulant Ballën, sepse niveli i tij intelektual lë shumë për të dëshiruar, por kur ligësia politike arrin deri në pikën e sulmit ndaj klerikëve ortodoksë, duke përdorur klishetë e filmave të realizmit socialist, heshtja bëhet e papranueshme.

Enver Hoxha i portretizonte klerikët si tradhtarë, të pabesë dhe armiq të popullit. Makineria e tij propagandistike ndërtoi një narrativë ku kleriku duhej të ishte personazhi negativ, ndërsa komunisti mishërimi i patriotizmit.

Por historia dëshmoi se ishte pikërisht regjimi i Enver Hoxhës, ai që shpalli luftë ndaj Zotit dhe besimit, që solli shkatërrimin e vendit tonë. Këtu nuk po flas vetëm për shkatërrimin ekonomik, por për atë që dhemb më shumë dhe lë pasoja ndër breza: shkatërrimin moral dhe shpirtëror të shoqërisë shqiptare.

Klerikët ortodoksë kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për Shqipërinë, për identitetin kombëtar dhe për gjuhën shqipe. Papa Kristo Negovani, Papa Stath Melani, dhe i madhi Fan Noli janë dëshmi historike të kontributit të klerit ortodoks në çështjen kombëtare.

Disa prej tyre dhanë edhe jetën për Shqipërinë dhe gjuhën shqipe. Ata e dëshmuan patriotizmin në një kohë kur të qenët shqiptar dhe të shkruarit shqip kërkonte sakrificë, jo mandate parlamentare, privilegje apo poste qeveritare.

Nuk mbeti tani një politikan si Taulant Balla të na japë leksione patriotizmi, duke rikthyer helmin e filmave të komunizmit dhe stereotipet e një regjimi që burgosi, persekutoi dhe vrau klerikë të të gjitha besimeve.

Patriotizmi nuk matet me urrejtjen ndaj besimit të tjetrit dhe as me aftësinë për të prodhuar armiq imagjinarë, sa herë që politika ka nevojë të largojë vëmendjen nga dështimet e saj.

Shqipëria nuk ka nevojë për politikanë që ringjallin fantazmat e komunizmit. Ka nevojë për politikanë që njohin historinë, respektojnë besimin dhe kuptojnë se bashkëjetesa fetare është një nga pasuritë më të mëdha të këtij kombi.

Klerikët shqiptarë nuk kanë nevojë për certifikata patriotizmi nga Taulant Balla. Ata e kanë shkruar patriotizmin e tyre me gjak, në një kohë kur të flisje për gjuhën shqipe dhe për Shqipërinë paguhej me jetë.

Enver Hoxha u përpoq ta vriste Zotin në ndërgjegjen e shqiptarëve, por në të vërtetë plagosi rëndë shpirtin e një kombi. Sot, dekada pas rënies së diktaturës, është tragjike të shohësh politikanë që, në mungesë të argumenteve, ideve, gërmojnë në varrezat ideologjike të komunizmit për të ricikluar helmin e tij.

Historia i ka dhënë tashmë verdiktet e saj: klerikët që propaganda komuniste i portretizonte si tradhtarë, sot nderohen si patriotë, ndërsa diktatori që vetëshpallej shpëtimtari i Shqipërisë mbetet simbol i persekutimit të saj.

Taulant Balla duhet ta lexojë historinë, jo ta mësojë atë nga filmat e Enver Hoxhës.

Po ndodh...