Me shami e pa shami, pyetja është sa je njeri!

3 Shtator 2022, 20:41 / IDE NGA KIM MEHMETI

Me shami e pa shami, pyetja është sa je njeri!

A e dini çka i dallon në Kosovë ata që e mbështesin të drejtën e gruas shqiptare që ta mbulojë kokën me shami nga ata që janë kundër shamisë: të parët duan që femra të vishet ashtu siç do ajo, e të dytët duan që ajo të zhvishet ashtu siç duan të tjerët. Pra, të parët duan që ajo të mbetet e ‘prapambetur’ duke u veshur ashtu siç nuk i irriton e nuk i dëmton familjarët e saj, e të dytët që ajo të zhvishet ashtu siç e duan të ‘civilizuarit’ që atë e shohin në rrugë apo që e pranojnë në punë.

Dhe nëse është i vërtet lajmi se një mësueseje nga Suhareka i është ndaluar ushtrimi i profesionit për shkak të shamisë, atëherë vijmë edhe te e vërteta se ‘demokracia’ në Kosovës ndërtohet edhe duke përdorë mendësinë politike të pushtuesit të deridjeshëm serb, e cila në thelb vepronte sipas parimit se forca e pushtetarit nuk matet nëpërmjet zgjidhjes së problemeve të vërteta, por nëpërmjet atyre që vetë ajo i trillon. Si dhe sipas udhëzimeve antishqiptare çubrilliviqiane: nëse donë ta dëbosh e ta dëmtosh shqiptarin, atëherë preke te morali i gruas.

Duke u drejtuar Kosova me këtë mendësi ajo edhe erdhi këtu ku ndodhet tani: nga djep i atdhedashurisë dhe shqiptarisë, të bëhet vend ku do kuvendohet problem i ‘vetëm’ të cilin ajo nuk e ka zgjidhur; se a duhet gruaja shqiptare të ketë të drejtë ta mbulojë kokën me shami e të mos e rrezikojë ekzistencën duke iu penguar punësimi, apo i mjafton vetëm e drejta që të pasurohet duke u cullakosur ashtu siç e duan sheikët arabë nga Dubai?

Sipas egërsisë me të cilën sulmohet bartja e shamisë, del se Kosova sot e ka të qartë sa të prapambetur janë burrat e gratë që e përkrahin të drejtën e femrës shqiptare për ta mbuluar kokën me shami, por assesi ta kuptojë sa të ‘civilizuar’ janë burrat e femrat që i përjashtojnë nga puna, apo nuk i pranojnë në punë, gratë që nuk e kanë ekspozuar trupin aq sa do u pëlqente atyre.

Dhe për në fund: a e dini çka kanë të përbashkët disa nga ata që me ofendime apo me egërsi e mbrojnë apo sulmojnë bartjen e shamisë: nuk e dinë se njeriu edhe kur mbulohet edhe kur shpaloset është diçka më shumë se ajo që themi ne për të. Se njeriun e mundon edhe pyetja si të ndërtojë urë që do i bashkojë brigjet e së këtejshmes me atë të së përtejmes.

Andaj si do që të kesh jetuar dhe çkado që të kesh bërë e lënë pas vetes, nuk ka më rëndë se të jesh njeri. Por njeri i vërtet, që i ka të gjitha në vetvete, që bënë gjumë në shtratin e jetës, por e mendon të përtejmen.

Po ndodh...