Rama e Berisha, sa qesharakë përballë protestës!

Protesta po zbulon çdo ditë e më shumë anën qesharake të Ramës dhe Berishës përballë shoqërisë shqiptare. I pari, prej shumë vitesh mbi shpinën e PS-së, u kumtoi të tijve se ka dalluar qartë në sheshin e protestës një “kalë algoritmesh” që nis të vrapojë nga “Sheshi Skënderbej” deri poshtë zyrave të tij e pastaj nëpër rrugët e kryeqytetit. Ndërkohë Berisha, që dëgjon thirrjet e protestës vetëm nga veshi që kërkohet largimi i Ramës, e sheh kryeministrin si Don Kishot, ndërkohë që vetë në rolin e Sanço Panços ëndërron të ketë sërish “Gubernën qeverisëse”. Për të bërë këtë udhëtim brenda imagjinatës së tyre, ata kanë shpikur disa armiq për të justifikuar atë që ndodh në shesh prej tri javësh. I pari ka shpikur “armiq kombëtarë e ndërkombëtarë”. I dyti mendon se thirrjet ndaj tij janë nga “opozitë e opozitës”, edhe pse thirrja “Rama burg, Berisha burg” rezulton prej tri javësh boshti më i fortë lidhës i atyre që janë bërë bashkë, pavarësisht të ideve dhe qasjeve të ndryshme ndaj realitetit shqiptar.
Në fakt, Rama, i cili ka qeverisur vetëm duke caktuar algoritme propagande, u shfaq në vështirësinë që ka për të mbajtur frerët e mazhorancës përballë pakënaqësisë popullore, edhe pse deputetët këtë të shtunë dukeshin qesharakë përballë realiteti imagjinar që u solli Rama në sallë. I vetmi algoritëm që pa qartësisht Rama përballë deputetëve të tij ishte algoritmi i pakënaqësisë që ka mbytur çdo lloj propagande të tij. Edhe televizionet që kanë dhënë gjithçka “sipas algoritmit Rama” në këto 13 vite, tashmë janë sfiduar nga “e vërteta e sheshit të protestës” që ka shpërfillur modelet e propagandës së derisotme.
Ndërkaq, Berisha, dukë gëlltitur çdo refuzim të protestuesve ndaj tij, çdo kërkesë për largim, njëlloj si kryeministri, ka shënuar një rekord piruetash me qëndrime ndaj protestuesve, sa po t’i lexojë edhe vetë, nuk do arrijë ta besojë se i ka thënë po ai brenda këtyre tri javëve. Aq qesharak do jetë ndjerë me mënyrën se si kërkon t’i bashkangjitet protestës, sa nuk ka guxuar të mbledhë as Këshillin e ri Kombëtar, pasi duket se nuk ka asnjë besim se ngjyrat e protestës nuk do gjejnë hapësirë edhe brenda Këshillit. E duke qenë se nuk i ka mjetet e kërcënimit që ka Rama me deputetët për shkak të qenurit në pushtet, Berisha nuk turpërohet as kur shumica e komentuesve në faqen e tij, që janë ish votues të tij, i kërkojnë hapur të largohet nga pengmarrja e opozitës.
Donkishotizmi i Ramës është te paraqitja e tij si padron i 800 mijë votuesve të tij, edhe pse e di shumë mirë se një pjesë e njerëzve në shesh, apo kontestues në rrjete sociale, janë nga ata që e kanë votuar sepse kanë besuar se ai ishte ndryshe nga Berisha.
Ndërsa sançopançizmi i Berishës është se beson se do i bjerë pushteti nga qielli, ashtu siç Sanço Panço mendonte se do bëhej drejtues i një Guberne, siç i premtonte Don Kishoti, e do qeveriste.
Në fakt, e gjithë këmbëngulja e Ramës dhe Berishës për të gjetur në sheshin e protestës “armiq që nuk duan Jerad Kushner se është dhëndërri i Trump” apo se ka edhe “opozitë të opozitës” që thërret “Rama burg, Berisha burg”, i ka bërë qesharakë në mënyrën se si i kanë menduar shqiptarët gjatë këtyre viteve – i kanë menduar si dele që nuk do zemërohen kurrë me bariun! Dhe tani, që gjenden si “Mbreti lakuriq” i Andersenit, mundohen të veshin si rroba akuzash politike ndaj kujtdo, vetëm e vetëm që të mos e mendojnë se janë ata të dy të padëshiruarit e shoqërisë shqiptare, që të mos mendojnë se janë ata të dy që kanë shkaktuar këtë valë zemërimi popullor, që të mos besojnë se janë ata të dy që tashmë kanë bërë bashkë në atë shesh edhe shumë mendje që zor se do qëndronin bashkë për të shkëmbyer mendime apo ide.
Për të pasur një rikthim pranë publikut, Rama zgjodhi të bëjë edhe “balerinin e imitimeve” me artistë të ndryshëm apo influencerat, duke imagjinuar si Don Kishoti “mullinj armiqsh të fortë jashtë Shqipërisë” që kanë “helmuar shoqërinë shqiptare” që nuk pi më ujë në lumin e propagandës së tij por jashtë grazhdit të tij politik. Por rezultoi se asnjë nuk duartrokiti çartjet e tij mbi “armiqtë e jashtëm”. Ndërsa Berisha, që bëri gjithçka për të marrë kthesën drejt sheshit të protestës, pasi sheshi nxori në pah refuzimin e fortë ndaj tij, zgjodhi të shfaqet si tifoz i një ndeshjeje të cilën s’do e shikonte kurrë nëse nuk do e kishte kthyer PD-në në një “gërdallë politike”, që nuk e ngre dot as në nivelin e imagjinatave të Sanço Panços./Alfapress.al
Po ndodh...
Çfarë tha e nuk i doli!
ide
Zoti Rama, Algoritmi është pasojë!
Botërori, më shumë se futboll
Rama e Berisha, sa qesharakë përballë protestës!
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128